MENU
klinika

Forumi Ndërkombëtar për Gratë

Blinken: Albright do të ishte e lumtur që gratë udhëheqin

22.10.2022 - 14:42

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Anthony Blinken ka përkujtuar ish-paraardhësen e tij, Medaleine Albright, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahet në Prishtinë.

Blinken, përmes një videomesazhi, tha se Albright sot të ishte shumë e lumtur po ta shihte se gratë në Koosvë, po marrin udhëheqjen e vendit.

“Kur fliste për parlamentin e Kosovës, Albright thoshte që kjo do të arrinte mundësitë e dhëna që gratë të kenë një mundësi të barabartë për të ndjekur ëndrrat dhe për të qenë biznesmene e presidente, kryeministre e ministre dhe në këtë kohë Kosova ka zgjedhur dy presidente gra, dy më shumë sesa në Amerikë, dhe besoj se Albright do të ishte e gëzuar që është kështu dhe do të ishte e gëzuar që gratë e marrin udhëheqjen, dhe kanë gëzuar mundësitë”, ka thënë Blinken.

Blinken tha se Forumi i organizuar nga Osmani bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër sekretarja Albright” Popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.

Sipas tij, në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, Albright ka mbrojtur sërish ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, më 1999.

“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mos tolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”, ka cituar Sekretari Bliken fjalët e zonjës Albright.

Sipas tij, sekretarja Albright luftoi për angazhimin e grave në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes së sigurisë, pjesërisht sepse ajo kishte parë ndryshimin që ndodhte kur atyre u jepej një zë.

Albright ka inkurajuar edhe gratë kosovare, kur më 2005 kishte thënë se e ardhmja e vendit do të varet – në një masë jo të vogël -nga mundësitë që do t`u ofrohen grave të vendit.

Ai ka përmendur edhe gratë iraniane me kauzën e tyre kundër shtypjes, sikurse edhe ato kubaneze, të cilat vazhdojnë të protestojnë duke bërë thirrje që regjimi t`i respektojë të drejtat e njeriut dhe t`i plotësojë nevojat themelore të njerëzve.

Në adresimin e tij, Blinken është ndalur edhe te lufta e presidentit Putin kundër Ukrainës, duke cituar një mendim të Albright.

“Ajo na kujtonte vazhdimisht rëndësinë e qëndrimit përballë tiranëve dhe provokuesve, sikurse edhe të parandalimit që vendet me përdorim të forcës të rishkruajnë kufijtë e një tjetri dhe për të mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka cituar Blinken, zonjën Albright.

Në fund të adresimit të tij, Blinken ka thënë se duke iu përmbajtur porosive të Albright, do të triumfojmë përsëri.