Hetimet vijojnë lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Komisariatin numër 3 në Tiranë më 19 tetor, ku 32-vjeçari Laer Kurti ndërroi jetë pas shoqërimit nga policia. AMP tha në njoftimin zyrtar se ai humbi jetën në spital pasi shfaqi probleme shëndetësore. Por burimet thanë se ai ka ndërrruar jetë teksa po transportohej nga rajoni i policisë në spital.
“Top Channel” bën me dije se në bazë të dëshmisë të punonjësve të policisë Lear Kurti, ka qenë duke lëvizur në rrugën “Riza Cuka” në këmbë, i vetëm. Policia i ka kërkuar të ndalojë për verifikim. Ai është larguar me vrap dhe patrulla i është vënë në ndjekje duke e kapur në rrugën “Don Bosko” pranë një marketi. Momenti i ndalimit është i fiksuar në kamerat e sigurisë.
Pas prangosjes i ndaluari ka qëndruar në një stol derisa ka mbërritur makina që e shoqëroi. Në momentet e pritjes aty kanë kaluar dhe shokë të tij që kanë komunikuar me policinë për arsyen e ndalimit.
Gjatë rrugës për në komisariat ai ka shfaqur probleme shëndetësore (dridhje dhe nxjerrje sekrecionesh). Pas mbërritjes në komisariat ku po ashtu ka kamera duke parë që gjendja mund të rëndohej deri në mbërritje të ambulancës është transportuar nga vetë policia në spitalin e traumës ku ka mbërritur me puls të dobët dhe pas disa minutash ka ndërruar jetë, raporton TCH.
Leari mësohet se është fëmija i vetëm i familjes Kurti. Ai banonte tek ish-parku i Autobusëve. Mësohet se ka pasur episode të tjerë te ndalimit ne polici pasi ka qenë përdorues i lendeve narkotike.