Duhej të ishte një nga ndeshjet më të mëdha të këtyre muajve, por suspersfida mes britanikëve Conor Ben dhe Chris Eubank Junior është anuluar, pasi autoritetet e boksit britanik kanë zbuluar se i pari ka rezultuar pozitiv ndaj një substance të ndaluar.
Një vendim që mund të kthejë në ring Florian Markun për duelin më të rëndësishëm të karrierës. Në testet e kryera pak ditë më parë, Conor Ben, i cili është rivali të cilin sfidon prej kohësh Florian Marku, ka rezultuar pozitiv ndaj substancës së ndaluar klomifen.
Një zhgënjim i madh për ata që kishin blerë biletat për eventin, por që mund të jetë shansi i artë i Florian Markut, i cili kërkon prej kohësh një prej emrave të mëdhenj të boksit botëror si kundërshtar. Nëpërmjet Tëitter, ai ka hedhur hapur dorashkën e sfidës, duke kërkuar që të zbresë në ring.
“Conor dështoi një test dopingu? Nuk më bën përshtypje. Nëse Chris Eubank Junior e do, unë jam gati”, ishte postimi i tij duke treguar se i mjafton një sinjal për të përgatitur me shpejtësi duelin e së shtunës.
Ndeshja e fundit e Markut ishte më 25 gusht ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez, në duelin që fitoi në “Air Albania” duke çuar në 12 fitore, 1 barazim e 0 humbje rekordin e tij në ringun profesionist.
Ndërsa Eubank Junior ka një rekord prej 32 fitoresh e 2 humbjesh në ringun profesionist. Mendohet se si Conor Ben, ashtu edhe Chris Eubank Junior, do të përfitonin mbi 2 milionë paund secili nga superdueli i kësaj fundjave.