MENU
klinika

"Të rritet shpejtësia nga 110 në 120km/h"

Deputetët e PD kërkojnë ulje të gjobave e parkim falas për qytetarët

26.10.2022 - 13:23

Ankesat e shpeshta të qytetarëve për gjobat e parkimit në qytete duket se kanë shkuar në veshët e tre deputetëve demokratë, Flamur Hoxha, Lefter Gështenja dhe Helidon Bushati.

Nisur nga ky shqetësim, ata kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë disa ndryshime në Kodin Rrugor. Ndryshimet në kod parashikojnë parkim falas për banorët që banojnë në një qytet përkatës, po ashtu propozohet që të ulet vlera e gjobave maksimale nga 200 mijë lekë të reja në maksimumi 100 mijë lekë të reja. Sakaq, në një reagim në rrjete sociale deputeti Lefter Gështenja bëri një relatim të nismës.

“Nisur nga kërkesat e qytetarëve, bashkë me disa kolegë të tjerë, kam propozuar në Kuvend ndryshimin e Kodit Rrugor për të lehtësuar dhe ndihmuar qytetarët shqiptarë. Propozimet u vijnë në ndihmë qytetarëve dhe lehtësojnë qarkullimin, përmes disa praktikave më të mira nga ato që po aplikohen sot, të cilat jo vetëm nuk kanë ndihmuar, por përkundrazi, kanë rënduar qytetarët.

Garantimin e parkimit falas për banorët rezidentë në qytete, ku në asnjë rast, njësia vendore të mos përdorë çdo hapësirë për parking me pagesë. Kjo do të garantojë rritjen e parkimeve për banorët rezidentë. Ulja me dyfish e masës maksimale të gjobës, referuar edhe të ardhurave mesatare të qytetarëve. Gjoba të mos jetë më shumë se 100 mijë lekë nga 200 mijë që është sot dhe po ashtu të shkojë në 10 ditë afati i pagesës”, shkroi Gështenja.

HIQEN POSTOBLLOQET, SHTOHET SHPEJTËSIA

Po ashtu, ndryshimet e propozuara nga deputetët parashikojnë që të rritet shpejtësia maksimale, me të cilën mund të qarkullohet në rrugët kryesore kombëtare, ndërkohë nga ana tjetër kërkohet që të hiqen edhe postoblloqet e Policisë që jemi mësuar t’i shohim pas çdo kthese. “Të hiqen postoblloqet e policisë në akset kombëtare ku si praktikë rezulton se ndalojnë qytetarët pa arsye. Vendosja e tyre të jetë vetëm në raste të veçanta, siç është praktika e BE. Rritja e shpejtësisë maksimale nga 110 në 120km/ore sipas standardeve europiane në rrugët me siguri”, sqaroi Gështenja. Po kështu, në draft parashikohet që të shmanget edhe noteri kur kryhet një akt shitblerje të mjetit.

Deputetët propozojnë që kjo të bëhet në drejtorinë përkatëse shtetërore. “Heqjen e detyrimit për të nënshkruar një kontratë shitblerje noteriale, në rastet e kalimit të pronësisë së mjetit kur kjo mund të realizohet pranë drejtorisë përkatëse të shërbimit të Transportit Rrugor.

Kjo masë lehtëson xhepin e qytetarëve. Për personat deri në moshën 55 vjeç, leja e drejtimit të lëshohet pa afat”, thuhet në propozimin e deputetëve të PD, ndërsa një propozim i fundit është që shtetasve shqiptarë t’u lihet mundësia që të mbajnë dy leje drejtimi. Pra, në çdo rast të mos i hiqet ajo shqiptare nëse merr një leje drejtimi në një shtet të BE. “Shtetasit shqiptarë që marrin një lejedrejtimi të huaj, të mos u hiqet leja e drejtimit shqiptar, pasi është e një e drejtë e fituar sipas ligjit, që ata mund të vazhdojnë ta mbajnë, pavarësisht se jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar”, shkroi dje në “Facebook” deputeti Lefter Gështenja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Patentë pa afat dhe me 120 km/orë

Opozita kërkon ndryshime në Kodin Rrugor