Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Booker” në Londër, i bën jehonë shkrimtarit tonë të njohur botërisht, Kadaresë. Ajo theksoi, se, leximi e ka ndihmuar në kohët plot tension në turne, si dhe të lidhej me trashëgiminë e saj.
Në fjalimin e saj gjatë aktivitetit, në “The Roundhouse”, artistja 27-vjeçare vlerësoi shkrimtarin Ismail Kadare, duke përmendur edhe librin e tij “Kështjella”.
“Është një nder i madh, të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës, për të folur për një nga kënaqësitë më të thella në botë: leximin e një libri”, tha ajo.
“Kur isha 11 vjeç, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave si ‘Keshtjella’ e Ismail Kadaresë, testoi aftësitë e mia gjuhësore, ndërkohë që më ndihmoi të lidhem me trashëgiminë dhe identitetin e familjes sime si shqiptarë të Kosovës”, – u shpreh fillimisht, Dua.
Sipas saj, përmes Kadaresë ajo mësoi edhe për frymën e rezistencës shqiptare, po atë vendosmëri kokëfortë që i mban kosovarët, të luftojnë sot për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë.
Fjala e plotë e Duas
“Madhëria juaj, zonja dhe zotërinj,
Së pari, një falënderim nga zemra për Fondacionin e Çmimit Booker, për ftesën. Është një nder i madh, të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës, për të folur për një nga gëzimet më të thella në botë, kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri.
Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma, për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës në Londër, leximet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët, të dy më dhanë perla të vogla urtësie dhe që më udhëheqin ende sot.
Kur isha 11 vjeç, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave si “Keshtjella” e Ismail Kadaresë, testoi aftësitë e mia gjuhësore, ndërkohë që më ndihmoi të lidhem me trashëgiminë dhe identitetin e familjes sime, si shqiptarë të Kosovës.
Përmes Kadaresë mësova për frymën e rezistencës shqiptare, po atë vendosmëri kokëfortë që i mban kosovarët të luftojnë sot, për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë sonë. Shpesh, pyes veten nëse autorët e kuptojnë sesa dhurata na bëjnë.
Sot, angazhimet e turneut më çojnë në të gjithë globin dhe jeta është shpesh, e tensionuar. Ndonjëherë, vetëm për të mbijetuar, më duhet të mbaj një qëndrim të ashpër. Dhe në këto momente, janë librat që më zbutin.
Në fillim të këtij viti krijova një podcast, që e dua sepse më jep mundësinë të flas një për një, me disa nga autorët e mi të preferuar. Ata janë mysafirë të jashtëzakonshëm sepse janë shumë në harmoni me emocionet njerëzore – sinqerisht, është më mirë se çdo seancë terapie, ku kam qenë ndonjëherë!
Të flasësh me Hanya Yanagiharan, për “Një jetë të vogël” është një privilegj që ende më mrekullon – isha aq e zhytur në atë histori, saqë u ndjeva sikur jetoja në rrugën “Lispenard”. Ajo më tha, se ende mendon për Judën çdo ditë të jetës së saj, po ashtu!
Letërsia e mirë, ka fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndihen afër dhe të tregojnë histori, që bota nuk i njeh. Ne kemi nevojë të japim e të marrim dashuri, të gjejmë vendin tonë në botë dhe shkrimtarët, janë ata që na ndihmojnë për ta këtë.
Pra, secilit prej autorëve të përzgjedhur këtë mbrëmje, nëse libri ishte diçka që ju e keni shkruar vetëm për vete, për të ndryshuar botën, apo thjesht sepse mendonit se duhej: faleminderit që na lejuat të hyjmë në botët që krijoni. Me të vërtetë, do të thotë shumë për ne, lexuesit”.