MENU
klinika

"Tre lloj qëndrimesh"

DW: Kushte të reja për liberalizimin e vizave

14.10.2022 - 14:56

Presidenca Çeke e Këshillit Evropian, pas takimit të grupit punues, tha se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

Grupi punues i Këshillit të BE-së diskutoi për herë të parë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe Komisioni Evropian, rikonfirmoi edhe njëherë se Kosova i ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave. Presidenca Çeke e Këshillit Evropian, pas takimit të grupit punues, tha se “është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën”. Në Prishtinë, ndërkaq, ndonëse nuk ka akoma konfirmim zyrtar, “qartësimi edhe i disa çështjeve”, siç u tha nga grupi punues për liberalizimin e vizave, duket se po interpretohet si kritere shtesë. Prishtina zyrtare bazohet në vlerësimin e dhënë nga BE-ja, ku thuhet qartë se “Komisioni Evropian e ka prezantuar raportin e tij të përditësuar për këtë çështje, që rikonfirmon se Kosova vazhdon të plotësojë të gjitha kushtet për liberalizim”.

Bislimi: Shtetet anëtare kanë pasur tre lloj qëndrimesh

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka konsideruar si kushte të reja, idetë që u diskutuan më 13 tetor në grupin punues për vizat në Këshillin Evropian. Ai tha se “ndonëse asnjë shtet nuk ka pasur hezitime për liberalizimin e vizave, shtetet anëtare kanë pasur tri lloje të qëndrimeve”.

“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”, tha Bislimi për mediet lokale.

Çështjet teknike
Në takimin e grupit punues të 13 tetorit, janë shtruar tri çështje kyçe: lidhja e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS, harmonizimi i sistemit kosovar të vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe marrëveshja për riatdhesimin e qytetarëve. Zëvendëskryeministri Bislimi, tha se Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja, që të arrihet konsensus për të shtyrë përpara procesin. Mbledhja e ardhshme e grupit punues për viza, do të mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti.

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, nga ana e saj, procesin e liberalizimit të vizave e vlerësoi si një hap shumë të rëndësishëm përpara. “Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm”, shkroi Gërvalla. Sipas saj, “Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”. “Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, shkroi ministrja e Jashtme.

Kosovo | Donika GervallaDonika Gërvalla
Çfarë është sistemi ETIAS?

Ideja e sistemit ETIAS u hodh nga përfaqësuesi i Francës në takimin e grupit punues për vizat. ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem që është elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen. Aty kërkohet emri, mbiemri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument. Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën. Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit përkatës, që merr vendimin final për hyrjen e udhëtarit në një vend të Zonës Schengen. Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS në Evropë ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional në fund të vitit 2023./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin