Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë natës së kaluar në Tiranë, ku një i ri ka gjetur vdekjen pasi efektivët e Patrullës së Përgjithshme e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit numër 3.
Në njoftimin për mediat, Agjencia e Mbikqyrjes Policore bën me dije se i riu ka ndërruar jetë pasi është dërguar në spitalin e Traumës dhe jo në duart e policëve. Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se efektivët e kanë ndjekur të riun që ka tentuar të shpëtojë prej tyre dhe pasi është kapur në zonën e Don Boskos, e kanë shoqëruar në Komisariat, ku ai dhe ka shfaqur probleme shëndetësore.
“Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.” thekson AMP.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.