Pas pesë fitoreve radhazi mes Kupës dhe kampionatit, Kukësi është thyer në shtëpi. Ishte Egnatia që mori tri pikë në “Kukës Arena”, duke befasuar verilindorët. Një start shumë i mirë për trajnerin Shpëtim Duro në stolin e skuadrës rrogozhinase.
Tri pikë me shumë vlerë për Egnatian që përmbys situatën në renditje, me rrogozhinasit që ngjiten në vendin e katërt, ndërsa verilindorët bien në vendin e gjashtë. Edhe pse Kukësi dominoi gjatë gjithë ndeshjes, ishte një episod në minutën e 81-të që bëri diferencën.
Tiago shënoi në portën e tij, duke ndëshkuar ekipi kur nuk pritej. Pavarësisht përpjekjeve për të shmangur të paktën humbjen, vendasit nuk ia dolën dot, mbyllet 0-1.
Në ndeshjen tjetër, Laçi merr fitoren e dytë sezonale, duke mposhtur 1-0 Kastriotin në Kamëz dhe lënë kështu edhe fundin e renditjes në përfundim të fazës së parë. Golin e vetëm të takimit e shënoi Ujka në minutën e 16-të, që shërbeu për tri pikët, pavarësisht se krutanët provuan të barazojnë gjatë pjesës së mbetur të takimit.