MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Është koha që Truss të ikë…

20.10.2022 - 09:07

Liz Truss ka marrë fund. Autoriteti i saj si kryeministre po ashtu. Qeveria që ajo formoi gjashtë javë më parë nuk ekziston më dhe Britanisë i duhen zgjedhje të përgjithshme për të zgjedhur një të re.

Javën e kaluar, kancelarja u shkarkua për një “mini-buxhet” që shkatërroi besueshmërinë e Mbretërisë së Bashkuar në tregjet globale. Të mërkurën, Suella Braverman, sekretarja e brendshme, u largua gjithashtu nga kabineti, gjoja për një shkelje të sigurisë, megjithëse duket se ka patur konflitke lidhur me politikën dhe personat në qeveri.

Nr 10 ka humbur kontrollin.

Asnjë prej sekretarëve zëvendësues të shtetit në dy departamentet më të fuqishme të Whitehall – Jeremy Hunt në Thesar dhe Grant Shapps në Ministrinë e Brendshme – nuk e mbështeti fushatën e Truss gjatë verës. Kabineti është një administratë kujdestare, që kujdeset  teksa zgjidhet një drejtues i ri.

Disa deputetë konservatorë kanë hezituar të veprojnë, nga frika se një tranzicion i keqpërdorur mund të përshpejtojë një zgjedhje të përgjithshme që do t’i kushtonte konservatorëve dhjetëra vende.

Një faktor tjetër është nevoja për të shmangur një garë lidershipi që mund ta kthejë zgjedhjen e një kryeministri zëvendësues në duart e anëtarëve të Konservatorëve. Ata zgjodhën Truss gjatë verës, dhe kështu gjykimi i tyre për çështje të tilla konsiderohet i paqëndrueshëm.

Me fjalë të tjera, Britania pritet të durojë një qeveri jofunksionale dhe neglizhente në mënyrë që një regjim pa autoritet të përpiqet të  përforcojë kontrollin e dështuar të pushtetit. Mosveprimi është një simptomë dobësie.

Kjo komplikon dëmtimin e shkaktuar tashmë vendit nga emërimi i Truss si kryeministre.

Ishin anëtarët konservatorë ata që konfirmuan emërimin e saj, por deputetët konservatorë që e vendosën atë në fletëvotim.

Ata kërkoninin me ngulm “mini-buxhetin” katastrofik që ka çuar drejtpërdrejt në kosto më të larta të huamarrjes së qeverisë dhe ka shkaktuar një boshllëk masiv në financat publike.

Idetë e Truss janë përgjegjëse për t’i bërë pothuajse të gjithë në Mbretërinë e Bashkuar më të varfër, por ajo nuk i mbajti ato të fshehta gjatë verës.

Është e gjithë partia konservatore ajo që mban përgjegjësi tani për shkatërrimin e kredencialeve të Mbretërisë së Bashkuar si një komb i denjë për kredi, duke grumbulluar dhimbje financiare mbi familjet në vështirësi, duke minuar themelet fiskale të shërbimeve publike dhe duke i shtyrë njerëzit më thellë në varfëri.

Truss ka bërë tashmë shumë gabime në një kohë të shkurtër. Asaj nuk duhet t’i jepet më mundësi për të bërë më keq.

Nuk ka perspektivë për përmirësim të performancës së kryeministres. Çfarëdo stabiliteti që është fituar, rrezikohet për aq kohë sa autori i fatkeqësisë është ende atje.

Tashmë është çështje e interesit kombëtar që vendi të drejtohet nga dikush i aftë. Nëse procesi që na çon atje janë zgjedhje, aq më mirë. 

Ajo që nuk duhet të lejohet është një periudhë e gjatë kaosi dhe paralize. Nuk ka asnjë justifikim për mbajtjen e Truss në Downing Street dhe një zëvendësim i konservatorëve nuk do ta ndalonte kalbjen e sistemit.

Ajo është problemi imediat, por partia që e vuri në pushtet ka humbur të drejtën për të emëruar një pasardhës. Kjo zgjedhje duhet të bëhet nga populli britanik.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN