Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrias, e sheh me shqetësimin situatën ekonomike në vend teksa jep alarmin se shqiptarët janë në pragun e mbijetesës.
Z. Buxhuku thotë për gazetën “Panorama”, se Shqipëria nuk ka asnjë arsye të kalonte në krizë energjetike, përkundrazi, kishte rast të shkëlqyer për të përfituar epërsi ekonomike me konkurrentët tanë tregtarë. Lidhur me tërheqjen e Kryeministrit nga fasha e energjisë prej 800 KW, Buxhuku shprehet se Rama e kuptoi zemërimin e qytetarëve, në të kundërt, zbatimi i vendimit do të kishte pasoja të paparashikueshme politike deri te qëndrueshmëria shoqërore dhe rendi kushtetues.
Sa i përket nismës për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, ai e sheh si ndëshkim për të bërë shembull ndërtues, që janë munduar t’u shmangen detyrimeve private shtesë ose që dyshohet se kanë dalë nga vatha politike. Lidhur me amnistinë fiskale z. Buxhuku është i sigurt se procesi i faljes në Shqipëri nuk mund të bëhet pa miratimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Z. Buxhuku, si e shikoni tërheqjen e qeverisë nga vendimi për të rritur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Pse kjo tërheqje e qeverisë?
Mendoj, se Kryeministri si duket e kuptoi, se po prekte në pikën e mos durimit të mbijetesës për shtresa të gjera të popullatës, që mund të çonte në pasoja të pa rishikueshme politike dhe deri te qëndrueshmëria shoqërore dhe rendi kushtetues. Kjo e rrezikonte drejtpërdrejtë, duke parë edhe detyrimet ndaj NATO-s në kushtet e luftës në Ukrainë.
Arsyeja e dytë e tërheqjes, mendoj, se ishte, që çmimi për prodhime jetike si energjia elektrike si rregull rritet për qytetarët vetëm atëherë kur janë shterur të gjitha rezervat, menaxhimi i sistemit ka qenë profesional dhe mbi të gjitha nuk ka korrupsion dhe shpërdorime. Shqiptarët në masë dërrmuese edhe pa krizën e energjisë janë pikërisht në pragun e mbijetesës dhe Shqipëria nuk është Gjermani. Prekja e fundit të durimit të qytetarëve, mund të ishte si pikë ndezje e dinamitit, që do të rrezikonte daljen në dritë të gjithë problematikave të rënda të menaxhimit të deritashëm të sistemit energjetik në vend.
Nga ana tjetër në të dy rastet e vendimmarrjeve të qeverisë kemi edhe njëherë shpërfaqjen e qartë të pasojave të një sistemi shtetëror 30 vjeçar të rrënuar, autokratik në qendër dhe anarshik në bazë, tërësisht jo funksional për ti shërbyer interesit publik. Kjo u pa qartë edhe te zelli i “arsyetimeve” të pambarimta shumë mujore të qeverisë përse duhej të rritej çmimi, ashtu edhe në rastin kur në mënyrë sarkastike mbrohej tërheqja pas vetëm 72 orësh. Zero arsye. Zero marrje përgjegjësie. Zero strategji.
Në kushtet e një shteti ligjor dhe demokratik anëtarët e bordit të ERE-s, që do të votojnë pro kërkesë/vendimit të Kryeministrit d.m.th kundër qëndrimit të tyre të para disa ditëve, duhet të japin dorëheqjen ose Kuvendi duhet ti shkarkojë. Bashkë me ata duhet të merren masa edhe ndaj përfaqësuesve të ekzekutivit, që e paskan furnizuar me të dhëna të pasakta dhe të vonuara Kryeministrin, duke e çuar në vendimin për rritjen e çmimit të energjisë. Në çdo rast ERE duhet të thirret në seancë dëgjimore nga Kuvendi i Shqipërisë nga i cili varet, për të vlerësuar pavarësinë institucionale në raport me ekzekutivin. Vendit në të ardhmen duhet ti kursehen shfaqje të tilla të humorit të hidhur, por me pasoja të rënda. Në rast të kundërt nuk ka nevojë të paguajmë qindra milionë për agjenci rregullatore. Mjafton dhe tepron qeveria.
Cili është këndvështrimi juaj lidhur me krizën e energjisë?
Shqipëria, jo vetëm nuk ka asnjë arsye të kalonte në krizë energjetike, por përkundrazi kishte rast të shkëlqyer për të përfituar epërsi ekonomike me konkurrentët tanë tregtarë. Sistemi ynë energjetik me prodhim bazë HEC-et është ndjeshëm i pavarur nga gazi rus. Kapacitetet e sotme të instaluara të prodhimit të energjisë elektrike tejkalojnë ndjeshëm konsumin. P.sh., në vitin 2021 prodhimi vendor ishte 6,5% më i lartë sesa nevojat. Dhe çuditërisht në atë vit shpallëm krizën energjetike, njëjtë me vendet e varura thellësisht nga gazi rus. Gjithçka ka vetëm një shpjegim: keqmenaxhim.
Nuk ke si ta emërtosh ndryshe kur – shitblerjet e energjisë bëhen jo drejtpërdrejtë nga vetë kompanitë publike, por me sekserë, duke humbur dhjetra milionë euro/vit, kur zbrazen liqenet e kaskadës në mes të verës të 2021, duke shitur me çmim disa herë më të ulët, për t’i riblerë përsëri po vetë pas disa ditësh, kur TEC-i Vlorës nuk vihet në punë edhe pas mbi 10 vitesh për një avari, që vlerësohej në më pak se 7 milionë euro dhe ka kosto konservimi 1 milionë euro/ vit, duke u zëvendësuar me anije impiante të Bangladeshit me thuaj të njëjtën fuqi, por që kushtojnë 10 herë më shumë vetëm vlerë qiraje pa përmendur ndotjen mjedisore, kur humbjet/vjedhjet në sistem janë ende mbi 21%të sasisë, që do të thotë qindra milionë euro dëm, kur ka të dhëna, se mund të jemi përballë një skandali të lejimit të shitjes së dhjetëra milionë euro energji nga HECet private në treg të lirë dhe jo OSHEE në shkelje të detyrimeve të lejes koncesionare, kur nuk është në punë asnjë impiant i rëndësishëm i prodhimit të energjisë nga dielli, era,- kur nuk ka asnjë mbështetje financiare dhe fiskale për qytetarët dhe deri pengime ligjore absurde për bizneset për prodhim vetjak nga burimet e përtëritshme, etj.
Mjafton të kuptojmë, se me 3.8 milionë euro të veprës së luksit në kohë krize të oborrit të kryeministrisë mund të ishin pajisur deri 5000 familje me panele diellore! Ndërsa, vetëm me qiranë e anijeve të Bangladeshit mund të pajiseshin mbi 100 mijë familje, që janë 15% e krejt konsumatorëve tariforë.
Qeveria nuk po tërhiqet nga amnistia fiskale pavarësisht kërkesës së SHBA dhe BE… Pse kaq e vështirë që të bëjë hap pas…?
Në parim “faljet fiskale” mund të jenë të dobishme për interesin publik. Shtete me institucione të qëndrueshme të botës demokratike i përdorin. Faljet fiskale shoqërohen me gjoba, që luhaten në madhësinë 30-50% të vlerësimit dhe kanë strategji dhe kushte të qarta të përdorimit dhe investimit të kapitaleve të falura. Në këtë kuptim edhe Shqipëria nuk ka pse të bëj përjashtim.
Duhet thënë, se në parim një numër i madh qytetarësh dhe biznesesh shqiptare janë të interesuar dhe mund të përfitojnë nga nja falje fiskale me strategji të mirëmenduar në shërbim të interesit publik dhe ekonomisë kombëtare. Por mjerisht, zbatimi i faljes fiskale në terrenin shqiptar flet kundër përfitimeve në letër. Në rastin e Shqipërisë sistemi i sotëm ekonomik, politik, drejtësia, media, qëndrueshmëria shoqërore dhe deri vetë rendi kushtetues, gjithmonë e më shumë janë të varur në dy kategori/ burime tumorale, që prodhojnë metastaza para informale në sasi tepër të mëdha dhe të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Së pari, nga korrupsioni i përgjithshëm dhe sidomos i tipit të “kapjes së shtetit” dhe së dyti, prania në masë e drogës dhe veprimtarive të paligjshme ndërkombëtarisht.
Paratë e të dy burimeve kanë nevojë të pastrohen. Deri më sot në Shqipëri ka shenja të qarta të proceseve të përditshme të “faljeve fiskale” pa pasur emrin të tillë. Investimet në ndërtim, që tejkalojnë ndjeshëm masën e kreditimit bankar dhe nevojat për strehim të popullatës si dhe prania në sektorë strategjikë si naftë, banka, energji, porte, shëndetësi, etj. të shoqërive tregtare të regjistruara në “parajsa fiskale”, janë tregues të qartë të mundësisë së pranisë të shpëlarjeve të parave të korrupsionit, drogës dhe krimit. Në ndryshim nga vendet e zhvilluara demokratike jo vetëm, që nuk paguajnë penalitete për tu “pastruar”, por përkundrazi shumëfishojnë fitimet.
Megjithatë, duket se në këtë proces të vazhdueshëm pastrimi ka një shqetësim në rritje për përfituesit e derisotëm. Ai është interesi në rritje i faktorit ndërkombëtar për këtë dukuri. Siç duket, sasia e parave “të zeza” është shtuar shumë në Shqipëri, shoqëruar edhe me shfaqje të parave me origjinë krimi dhe droge jo vetëm shqiptare, por deri edhe nga grupime të rrezikshme ndërkombëtare të krimit. Një mburojë ligjore mbase është menduar si e nevojshme për rritur shkallën e sigurisë nga grupimet e derisotme. Por, çështja e “faljes fiskale” tejkalon sovranitetin e shtetit shqiptar. Ajo është e rëndësisë ndërkombëtare.
Çfarë rrezikon vendi ynë nga miratimi i amnistisë fiskale?
Mendoj se procesi i faljes në Shqipëri nuk do të bëhet dhe nuk mund të bëhet pa miratimin e partnerëve ndërkombëtarë. Nëse, qeveria shqiptare do ta bëjë pa miratimin e tyre, mendoj se do të jetë një aksion i dështuar. Së pari, sepse vetë subjektet përfitues të mundshëm shqiptarë ose të huaj nuk do të ndihen të sigurt dhe do të ngurrojnë të marrin pjesë. Shqipëria është dhe do të jetë edhe më shumë vend me sovranitet të kufizuar dhe çdo ndryshim politik i ardhshëm do ti nxirrte zbuluar. Mburoja ligjore e sotme do të ishte e dobët.
Shto këtu edhe sigurimin e fshehtësisë, që me sistemin kibernetik të “e-Albania”-s, është treguar i pamundur. Edhe teknikisht mosdhënia e miratimit nga ndërkombëtarët vështirëson shumë procesin e faljes. Sepse, nuk besoj, se transferta e parave nga vendet e BEsë, SHBA-së, etj., për t’u falur fiskalisht në Shqipëri është menduar se do të bëhet me stilin e “Toyota Yaris”. Ndërkohë, rrezik i madh për ekonominë kombëtare është prishja e konkurrencës ndërmjet bizneseve në treg. Individët dhe kompanitë, që do të përfitonin do ta kishin mjaft të lehtë të nxirrnin nga tregu bizneset e ndershme. Në fakt goditja e konkurrencës me metoda tregtare të pandershme sot edhe pa faljen fiskale është tregues shumë shqetësues në biznesin vendor.
Si e konsideroni vendimin e qeverisë për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje dhe vënien e tyre në shërbim të shtetit? Pse ky vendim pikërisht tani? A besoni se ka prapavijë politikë…?
Në parim, pavarësisht çdo arsyeje tjetër, mbështes përpjekjen për vendosjen e ligjshmërisë në hapësirë dhe ndërtime. Por, në rastet e njohura së fundmi më duket më shumë si ndëshkim për të bërë shembull ndërtues, që janë munduar tu shmangen detyrimeve private shtesë ose që dyshohet se kanë dalë nga vatha politike. Sepse, për raste të njëjta të shkeljes së ligjit janë ndryshuar lehtësisht vetë aktet ligjore, duke dhënë pa asnjë problem, pa zhurmë dhe bujë shembuj të tjerë të “kapjes së shtetit”. Ndërkohë, edhe vetë ndëshkimi i të pa bindurve është i butë dhe ka më shumë karakterin e një amnistie.
P.sh në Austri për ndërtime pa leje merren njëkohësisht: – sekuestrimi për qëllime publike i gjithë ndërtimit pa leje, – gjobë me vlerën 5 fish të çmimit të tregut për gjithë sipërfaqen ndërtimore pa leje, përjashtim të ndërtuesit për disa vite nga të gjitha lejet e reja ndërtimore, tenderat publikë, etj. Ndërkohë në Shqipëri mjaftohet në rastin më të rëndë vetëm sekuestrim, duke vazhduar, që shkelësve të ligjit si për tallje ndaj qytetarëve dhe bizneseve të ndershme tu jepen me dhjetëra milionë euro para publike. Megjithatë, diçka është pozitive nga gjithë sa më sipër. Dalja në sipërfaqe e problematikës së ndërtimeve kuptuam edhe njëherë tjetër, sesi dhe sa thellë korrupsioni ka kapur në çdo nivel të tij me radhë shumicën qeverisëse, ekzekutivin, Policinë, drejtësinë. Pa harruar edhe opozitën politike të pa qenë dhe bashkëpërgjegjëse, njëkohësisht.