Fjalimi i kryeministrit Rama në KiE ka përplasur sot në Kuvend deputetin demokrat Tritan Shehu dhe kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Shehu e cilësoi ‘fjalim pocaqi’ që sipas tij më shumë e dëmton Kosovën.
“Fjalim pocaqi i kryeministrit në Këshillin e Europës, i cili më shumë dëmtoi Kosovën dhe proceset e saj të anëtarësimit. Pa goditur gjenocidin serb në Kosovë çdo veprim tjetër është i kotë”, tha Shehu
Ndërsa Taulant Balla i kërkoi ta tërheqë mbrapsht deklaratën.
“E para tërhiqe mbrapsht atë për sipas teje fjalimin pocaqi.
Kush është fjalimi pocaqi, që të zhbëjmë atë që keni bërë ju me Sali Berishën nga 2008.
Në xhepat tuaj kanë hyrë rublat ruse nga 2008. Është për fajin tuaj Tritan, që në 2008 kur Kovaçev, kryetar i delegacionit rus të partisë së Putinit ka depozituar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës rezolutën mbi të cilën lindi rezoluta e Dick Martyt ju e votuat.
Turp nuk keni?! Si keni guxim?! PD bashkë me partinë e Metës në 25 janar 2011 keni shkuar dhe keni votuar një rezolutë, e turpshme. Nuk ka miratuar kurrë një institucion ndërkombëtar si ajo rezolutë”, tha Balla.