Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vdekja e 32-vjeçarit, Lear Kurti. Disa pamje filmike kanë hedhur poshtë deklaratat zyrtare të policisë për momentin e arrestimit të të riut.
Në media qarkullojnë pamje filmike në çastet e fundit të Learit. Si fillim 32-vjeçari shfaqet duke kaluar në afërsi të zonës së Don Boskos teksa bisedon në telefon, ndërsa në komunikatën zyrtare të policisë deklarohet se ai është ndaluar teksa po qëndronte përpara një biznesi.
Gjithashtu në një tjetër moment Leari shfaqet teksa ngrihet forcërisht nga efektivët e policisë në komisariatin nr. 3, ku ai shfaqët pa ndjenja.
Teksa Spitali i Traumës hodhi poshtë pretendimin e policisë se 32-vjecari është paraqitur me shenja jete në spital, po qarkullon një foto ku Leari shfaqet me serum duke marrë ndihmë mjekësore.
Familjarët dhe miqtë e Learit pretendojnë se i riu ka humbur jetë nga dhuna policore, por sipas të dhënave jo përfundimtare të autopsisë shkaku i vdekjes rezulton mbidoza nga kokaina. Janë shumë detaje në këtë ngjarje të cilat mbeten ende plot mister.
Ditën e sotme në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live” ishte Anaid Kaloti, i cili ishte mik i Learit.
Sipas Kalotit, i cili ka marrë në pyetje mikun e të ndjerit që ka qenë me të në momentin kur është ndaluar nga policia, Leari është dhunuar në furgon. Gjithashtu thuhet se ai ka ndërruar jetë në komisariat dhe jo në spital.
Intervista:
Prej sa kohësh njiheni?
Më shumë se 10 vite
Kur ka qenë komunikimi i fundit?
Dy ditë para se të ndërronte jetë
Jeni takuar apo keni komunikuar me telefon?
Kemi folur në “Instagram”, aty kemi bisedën e fundit
Çfarë mund të thuash për deklaratat e Policisë? Ke komunikuar me familjen apo mikun që ka qenë me të?
Kam komunikuar me familjarët, kam qenë në ceremoninë mortore. Kam qenë prezent edhe kur erdhi arkivoli. Nuk janë lënë ti afrohet morgut, ka qenë i rrethuar nga policia.
Leari ishte djalë i mrekullueshëm. I thoshte gjërat shumë troç ashtu siç i vinte në mendje. Përveç i sinqertë, fliste për probleme sociale. Ka qenë i dënuar më përpara, ka vuajtur në burg.
Nëna e tij ka thënë që Leari i kishte thënë “nëse do më gjente gjë, nga ata do më vijë”. Për policinë e kishte?
E thoshte shpesh. Natyra pak revolucionare e bënte të kishte përballje me forcat e policisë. Dhe aty ku jetonte kishte shpesh kontrolle. Ai ishte tipi që dilte përpara policëve dhe u thoshte ‘ça doni këtu, na njihni’.
Unë kam marrë kontakt me këtë djalin që ka qenë me të, ai kishte gjithë natën pa gjumë. Djali pohon se kanë qenë 3 policë që e kanë keqtrajtuar.
Në atë gjendje që është ai dhe 15 metra larg Traumës, nuk marrin me e dërguar në spital por e nisin për në Komisariat. Aty nuk i mbajnë këmbët. Nuk e dimë nëse ka gëlltitur lëndë narkotike, por do e tregojë ekspertiza.
Ai është keqtrajtuar në furgon dhe ka ndërruar jetë në komisariat. Ka zbritur nga furgoni duke u dridhur.
Unë lexova në internet dhe hulumtove se çfarë ndodh kur konsumon sasi lënde narkotike.
Ka një mospërputhje me deklaratën e nënës dhe shokut të Learit. Nëna thotë se nuk ka qenë me epilepsi, ndërsa shoku tregon se e ka zbuluar 2 javë më parë.
Për ta sqaruar, Lear nëse është diagnostikuar me epilepsi nuk do ia thoshte nënës menjëherë. Do e mbante për vete derisa ta vërtetonte dhe më pas do u tregonte. Mbase është e vërtetë, mbase jo.
E kanë konfirmuar që është Lear në foton e publikuar?
Rrobat janë të tij, unë e njoh dhe është ai. Të njëjtat rroba kanë ardhur nga morgu, janë ato. E njoh që është ai.