MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Ironia e demokracisë alla-Shqipëri dhe Berisha ‘spektakolar’!

19.10.2022 - 16:01

Kanë mbaruar me kohë zhurmat e fanfarave të demokracisë, impakti i të famshmit “Çeku i bardhë”, qenësisë në Evropë,a si shumë nga vendet e tjera të kontinentit syresh dhe begatisë. Demokracia e sotme shqiptare nuk është as në lartësinë e atij personazhit që interpreton Bujar Lako te filmi “Përballimi”, që kur u has me një slogan rruge, nga ato të shpeshtit e kohës së parë të komunizmit që mëtonte mbrothësinë, iu përgjigj: “Kush të tha se vjen begatia me dy vjet. Eh, sa djersë do duhet…!”. Sot nuk flitet më për djersë po për ikje, një orë e më parë!

Sot, nuk flitet sesi të vendosim vendin në një shtrat normal zhvillimi, po pse Rama duhet të flasë aq shumë në Asamblenë e Parlamentit Evropian! Sot, realisht nuk flasim sesi duhet të dalë opozita nga qorrsokaku, por sesi ta bëjmë të besueshëm Sali Berishën. Ky i fundit ka kuptuar më mirë se cilido atë mësim që na jep demokracia e kohës së sotme: Ndiq rrugën se ndryshimi do ndodhë si do që të ndodhë dhe bëj spektakël. Dhe, Berisha nuk zhgënjen. Në formën e tij, duket se e gjithë opozita është futur në një karusel, energjinë e së cilës e kontrollon ai dhe vetëm ai. Aman, çfarë ndryshimi vallë, mund të vijë nga një politikan i moshës së tretë, që është shumë pas kohës dhe për fat të keq arrin të drejtojë ende qorrazi një fashë të madhe të partisë më të madhe të opozitës së vendit në udhën e tij?!

Ukraina, përveç mësimeve të rezistencës së pashoqe që na ka dhënë në muajt e fundit kundër një agresori të frikshëm si Rusia, na përshfaqi edhe mënyrën sesi u shpërdorua demokracia pas Revolucionit “Portokalli”. Është e vërtetë se një revolucion i tillë nuk i kish premisat në vendin tonë, ku prej disa javësh, muajsh, flitet për protesta thjesht për të mbajtur e ringritur kultin e Berishës dhe Metës, por aspak për realitete të vërteta politike dhe qasje sesi do jetë Shqipëria e nesërme, kur ata mëtojnë të vijnë në pushtet. Ndaj, nuk ke sot e kësaj dite një gjë të detajuar sesi do të zhvillohen këto protesta, por më shumë se çdo gjë tjetër: sesi do të jetë vizioni për të ardhmen apo idetë e Shqipërisë, nën drejtimin e pretenduar të tyre.

E vetmja është dhe mbetet “shporrja e armikut Edi Rama”. Kjo kohë po na tregon se edhe ndryshimet më të thella të përcjellin në absurditete të papara, ku korrupsioni, evazioni fiskal, makutëria dhe arroganca e njerëzve në pushtet është e pamatshme. Plot 20 miliardë llogarit si evazion fiskal dhe shpërdorime në Shqipëri kolegu ynë statisticien Zaloshnja. Ndërkohë, Kryeministri ynë ta jep këtë mundësi hallakatje, jo thjesht me gjuhën e përdorur, por edhe mënyrën për të shfrytëzuar çdo foltore të mundshme për të treguar se është më shumë i zënë me probleme globale. Vetëm se në rastin e Asamblesë së PE-së kishte dy argumente të drejtë, që veç shqetësimit të Ukrainës të përcillte dhe rishikimin e rezolutës së Dick Marty, një problem jo i vogël që për fat po humb terren prej mungesës së dëshmive reale dhe kalimit të viteve të shumta, ku nuk është provuar në mënyrë bindëse.

Megjithatë, kohëzgjatja e pafundme e fjalimit, pa rrëfyer e numëruar shumë nga problemet e vendit, tregoi se interesi më i madh i tij dhe i politikanëve është dhe mbetet dukja. Duke u kthyer në argumentin tonë është bërë gjithnjë e më e vështirë për të ndryshuar qeveri, por nga ana tjetër edhe për ndryshime në Shqipëri. Kjo pjesë spektakolare, që paraqesin Berisha dhe Rama, e jo më pak Meta është bërë jo thjesht e lodhshme, por e paperceptueshme. “Të drejtat tona nuk sigurohen më prej pushtetit tonë kolektiv si votues, por i nënshtrohen logjikës së tregut financiar dhe marrëveshjeve kushtetuese në fuqi.

Votuesit edhe mund të ndryshojnë qeveritë, por për ta është megjithatë pothuajse e pamundur të ndryshojnë politikat ekonomike. Elitat janë shkëputur prej besnikërive ideologjike dhe kombëtare, për t’u bërë lojtarë globalë, duke e lënë shoqërinë në guaskën e thyer të shtetit-komb. Ka pasur një rënie të theksuar të besimit të publikut në punën e institucioneve publike. Ky mosbesim nuk është një rezultat i përkeqësimit të shërbimeve publike. Vjen, përkundrazi, ngaqë votuesit e ndjejnë se e kanë humbur pushtetinose edhe nga zhgënjimi i tyre me demokracinë”, shpjegon Ivan Krastev tek “I besojmë mosbesimit”.

A është vendi ynë pjesë e këtij fenomeni? Pothuajse. Mosbesimi si atribut demokratik i qeverisjes dhe i dyshimit për të sjellë më të mirën na sjell nga ana tjetër edhe kujtesën e mosbesimit total që kanë shqiptarët me qeverisjet e tyre. Si këto të kohës sonë, si ajo e paraviteve ‘90, ajo e para Luftës së Dytë Botërore, mes dy Luftërave të Mëdha dhe kështu me radhë. Po a është mosbesimi ndaj qeverisjes së sotme, prej krizës së shpallur ekonomike dhe energjetike apo është një kategori që i shkon atij transferimi kuptimi, të cilën ish-kryeministri Berisha e paraqet si rrezik eventual? Kjo kërkon një analizë të kujdesshme, ku politologu dhe ekonomisti krah-për-krah të nxjerrin nivelin e risqeve për Shqipërinë dhe aftësinë e qeverisjes aktuale, që larg sloganeve të tregojnë realitet përkatëse sesi mund t’ia dalim.

Megjithatë kur mendon bjerrjen e kësaj shume të frikshme, të lartpërmendur, llogaritur gjithsesi në mënyrë empirike, e që mund të zbuste shumë borxhin publik, atëherë trandesh. Ashtu siç merret me mend, i gjithë debati te ne zhvillohet për të hedhur poshtë çdo gjë që bën kundërshtari politik, që tashmë nuk emërtohet i tillë, por mirëfilli si armik potencial i vendit, përveçse i kundërshtarit politik të radhës (tashmë i PD-së dhe PL-së). A e ka larguar ky diskurs votuesin e thjeshtë? Absolutisht po. Të mjafton të shikosh votimet e pak më shumë se dekadës së fundit, ku vetëm dy herë është mezi-kaluar masa e 50% të votuesve, të kuptosh se neveria dhe cinizmi ndaj politikës aktuale është ende i madh. Jo më kot po vonojnë protestat dhe jo pa logjikë, politikanët janë zhytur në një moçal diskursi dhe përçarje brenda llojit për t’u identifikuar. Njerëzit nuk frymëzohen më nga retorikat boshe.

Të paktën, Berisha, me përvojën e tij e ka kuptuar mirë se shumica e njerëzve nuk mendojnë më se vota e tyre ndryshon gjë, ndaj i ka dhënë elementë spektakularë diskursit të tij, si ai për shembull si ai i përballjes ndaj shefit të Departamentit Blinken (!), akuzave ndaj ambasadorëve të huaj dhe lloj-lloj gjërash. Ashtu si përballë tij, në mënyrë më kanonike, për shkak se është më i kontrolluar prej logjikës së institucioneve të huaja për politika globale, qëndron Rama. E cili është rezultati i kësaj: ka një prirje jo të vogël që njerëzit të braktisin votimet dhe sërish duke iu referuar Krastev, njerëzit që kanë më pak gjasë të votojnë janë të varfrit, të papunët dhe të rinjtë, -me një fjalë, pikërisht ata që do të ishin më të interesuarit për të përmirësuar fatet e tyre. Dhe, rasti i Shqipërisë e tregon hapur me mospjesëmarrjen në votime, por edhe me një lodhje pa fre për një pushtet të njerëzve që në të vërtetë janë larg pushtetit.

“Një konsensus pothuajse po duket me faktin se: bota ka rënë në një ‘recesion demokratik’. Vëzhguesit kryesorë dhe mbrojtësit e demokracisë e karakterizojnë dekadën e fundit si një periudhë të ‘kthimit’ demokratik, ‘erozionit’ ose ‘rënies’, në të cilën demokracitë e reja kanë rënë viktimë e një ‘mbytjeje të fuqishme autoritare’. Në një artikull të Joshua Kurlantzick, titulluar ‘Shpërthimi i Demokracisë së Madhe’, për shembull, pohohet se liria globale ka ‘rënë’. Një vëzhgues tjetër sugjeron se ’ne në fakt mund të shohim fillimin e fundit të demokracisë’, shkruajnë Steven Levitsky dhe Lucan Way te “The Myth of Democratic Recession”.

Ende inercia e ndryshimit të fillimviteve ‘90 po qëndron e rrënjosur te shqiptarët paçka se pritshmëria ndaj tranzicionit pas Luftës së Ftohtë u përkthye me një situatë jorealiste dhe objektiva që nuk u realizuan. Duket se këtë pjesë e dinë mirë sot disa nga politikanët shqiptarë që po e mbajnë votuesin e thjeshtë drejt pritshmërive të parealizueshme me elementë të shumtë show. Dhe, pjesa spektakolare arkaike e Berishës e premton këtë bashkë me diskursin e lodhur të Metës dhe arrogancën e Ramës. (Homo Albanicus)