Dy fitore radhazi dhe Juventus nis të rehabilitohet, të paktën në kampionat, duke u ngjitur në vendin e shtatë. Bardhezinjtë fituan 4-0 sonte në “Allianz Stadium” ndaj Empolit, duke shpëtuar në një farë mënyre edhe trajnerin Allegri.
Ishte Kean ai që në minutën e tetë zhbllokoi shifrat, duke cliruar ekipin dhe gëzuar tifozët. Ky gol bëri që bardhezinjt të luanin edhe më mirë, por gjithsesi, pjesa e parë mbyllet vetëm 1-0.
Në të dytën është McKennie që dyfishoi shifrat në minutën e 56-të pas një asisti të Cuadrado-s. Dhjetë minuta më pas Juventus do të shënonte edhe golin e tretë, por Kean vlerësohet jashtë loje nga VAR.
Për të ardhur në minutën e 83-të, kur Rabiot vret ndeshjen me golin e tretë për vendasit. Në limite kishte vend edhe për gol të katërt, ishte sërish Rabiot që shënoi. Empoli ishte i pafuqishëm të shënonte qoftë një gol nderi, me Nedim Bajramin që u fut në lojë në minutën e 62-të, por pa arritur të lërë shenjë.