MENU
klinika

Pas ngjarjeve në sfidën ndaj Inter

Komplot ndaj Barçës? Laporta kërkon sqarime nga Ceferin

07.10.2022 - 15:56

Barcelona nuk ka dashur të bëjë një skandal të madh në media si pasojë e vendimit të pakuptueshëm të VAR-it për të mos dhënë penallti në favor të saj ndaj Interit, për shkak të duarve shumë të qarta të interistit Dumfries.

Një veprim që të gjithë e vlerësuan si të dënueshëm dhe, për rrjedhojë, dënimin e merituar maksimal me përjashtim nga ekipi i VAR të arbitrit holandez Pol van Boekel. Një vendim krejtësisht i pakuptueshëm që irritoi pa masë Xavi Hernández, lojtarët e tij, bordin e drejtorëve dhe presidentin Laporta.

Megjithatë, klubi mori vendimin për të mos e ngritur zërin publikisht në nivel institucional, përtej ankesave të nxehta të trajnerit dhe lojtarëve, të cilët denoncuan ‘grabitjen’ në fushën e “San Siro”. Ditën e djeshme, Laporta mori pjesë në një akt të Fondacionit Johan Cruyff dhe pavarësisht se shtypi këmbënguli, ai ‘kafshoi gjuhën’.

Kjo nuk do të thotë që Barça nuk do të lëvizë kundër UEFA-s. Në fakt, planet e entitetit katalanas përfshijnë dërgimin e ankesave zyrtare te Aleksander Ceferin, president i organizatës evropiane, për shkak të asaj që ndodhi me VAR-in në Milano.

Presidenti i Barçës do të kërkojë përgjigje zyrtare nga UEFA mbi qëndrimin e pakuptueshëm të Van Boekel, drejtuesit të VAR-it në Milano dhe në Mynih, teksa nënvlerësoi penalltinë e Dembélé pas një goditjeje në zonën e rreptësisë bavareze nga Davies.

Në fakt, ishte tejet befasues se i njëjti ekip VAR-i u emërua dy ndeshje radhazi, pas asaj që ndodhi në “Allianz Arena”. Dënimi i dytë për Barcelonën erdhi në “San Siro”, me rastin e topit me dorë nga Dumfries.

Laporta dëshiron të kuptojë nëse dëmi ndaj Barçës mund të jetë për shkak të gabimeve njerëzore apo një komplot ‘duarsh të zeza’, me precedentët që përsëriten njësoj. Nuk bëhet fjalë për t’u qarë, por për të kërkuar shpjegime për disa vendime të pashpjegueshme që kanë dëmtuar shumë skuadrën e Barcelonës, njërën nga tre klubet disidente ndaj UEFA-s, që ende mbajnë gjallë projektin e Superligës Europiane.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN