MENU
klinika

Zgjedhjet lokale mbahen më 14 maj!

Kreu i shtetit, thirrje Kuvendit të mbyllë Reformën Zgjedhore

25.10.2022 - 07:57

diela e 14 majit do të jetë e diela kur shqiptarët do të ftohen për zgjedhur kryebashkiakët e rinj për 4 vitet e ardhshme. Presidenti Bajram Begaj nxori dje dekretin me datën për zhvillimin e kësaj gare, dhe përveç ftesës për votuesit të ushtrojnë të drejtën për të shprehur vullnetin e tyre masivisht, nxit palët të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ ODIHR-it.

“Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare. Presidenti Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

Kreu i Shtetit i fton votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirinformimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të së drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cenojnë votën dhe vullnetin e lirë”, shprehet kreu i shtetit. Presidenti i bën apel Komisionit të Reformës Zgjedhore të mbyllë sa më parë punën për amendimet e Ligjit Zgjedhor.

“Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Me këtë rast, Presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike”, deklaroi z. Begaj.

Presidenti ndoqi traditën e paraardhësve, duke u konsultuar me të gjitha forcat politike, përpara se të vendoste për datën e zgjedhjeve lokale. Presidenti Begaj i zhvilloi konsultimet për datën e zgjedhjeve në fillim të këtij muaji, ndërsa ftoi për bisedime të gjithë përfaqësuesit e spektrit politik, shumë prej të cilëve kërkuan pikërisht 14 majin si datë për zgjedhjet. Socialistët kanë deklaruar se do të hyjnë të vetëm në garë. Përballë tyre, opozita është në përpjekje të vazhdueshme për të dalë me një kandidat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN