MENU
klinika

Vendimi i Qeverisë

Kufiri minimal dhe maksimal i pagave për pedagogët

16.10.2022 - 14:12

Duke i bërë thirrje edhe një herë tjetër qeverisë për rishikimin e rritjes së pagave për stafet akademike, si dhe rritjen e fondeve në ndihmë të zhvillimit të kërkimit shkencor, pedagogët kanë vijuar edhe përgjatë ditës së djeshme protestën. E ndërsa të hënën pritet të nisë zyrtarisht viti i ri akademik 2022-2023, pedagogët kanë bërë me dije se do të jenë të pranishëm në auditorë për të bërë prezantimin me studentët e rinj, por pas orës 10 do t’i rikthehen protestës. Sipas tyre bojkoti i mësimit do të jetë i përditshëm dhe do të zhvillohet ndërmjet orës 10:00-12:00. Pedagogët kërkojnë rritje të pagave në masën tridhjetë për qind për këtë vit, si dhe rritjen e mbështetjes që duhet të shkojë për zhvillimin e doktoraturave dhe kërkimit shkencor. Ata shprehen se ecuria e protestës do të vijojë në varësi të reagimeve që do të ndërmerren nga qeveria në lidhje me plotësimin e kërkesave të tyre.

“Data 17 është në fuqi për nisjen e vitit të ri akademik, pasi qeveria kokëfortë nuk dëshiron që të lëvizë. Ne nuk kërkojmë të prishim festën e studentëve të rinj dhe prindërve të tyre, kështu që do të bëhet kjo festë. Pas prezantimit të studentëve të rinj në orën 08:00 deri në orën 10:00, përfaqësues të Sindikatës do të jenë aty për t’u shpjeguar studentëve pse lëvizja jonë është edhe lëvizja e tyre”, u shpreh Kovaçi. Orët 10:00 deri në 12:00 do të jemi para fakulteteve çdo ditë. Në funksion të përgjigjeve të qeverisë, Sindikata do të informojë për veprimet e veta”, ka deklaruar ditën e djeshme kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, Aleksandër Kovaçi.

Pedagogët e kanë cilësuar si të papranueshme shkallën e rritjes së pagave deri në 15 për qind të bërë nga qeveria pak ditë më parë, ku vetëm 7 për qind e tyre do të mbulohej nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga buxhetet e vetë universiteteve. Për pedagogët kjo rritje deri në 7 për qind që do të bëjë shteti nuk indekson as inflacionin e këtij viti, e jo më atë të akumuluar dhe të paindeksuar të bërë ndër vite. “Ne do të insistojmë në rritjen e pagës deri në 30 për qind përgjatë këtij viti, si dhe 20 për qind gjatë vitit të ardhshëm, si parakusht për të vënë sadopak në rrugën e zgjidhjes çështjen e trajtimit dinjitoz të punonjësve të universiteteve përfshi këtu edhe stafin akademik, si dhe atë ndihmës-akademik. Ndërsa kontributin me 8 për qind nga ana e universiteteve e konsiderojmë të pamundur në kushtet aktuale të keqfinancimit të tyre, si dhe reduktimit të tarifave dhe numrit të studentëve. Mendimi i Sindikatës është i qartë që tarifat e studentëve po prapë atyre, por në shërbime, dhe jo të përdoren për pagat e personelit. do të mbulohej nga”, thuhet në qëndrimin e tyre.

Zbardhet vendimi i qeverisë
E ndërsa pedagogët shprehen të vendosur për vijimin e bojkotit të mësimit deri në plotësimin e kërkesave të tyre, tashmë është zbardhur në Fletoren Zyrtare edhe vendimi i Qeverisë nëpërmjet të cilit detajohet kufiri minimal dhe maksimal i pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve të universiteteve, pas aplikimit të rritje së miratuar deri në 15 për qind. Nga kjo rritje vetëm 7 për qind do të mbulohen nga fondet e buxhetit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër prej 8 përqind nga vetë universitetet në varësi të buxheteve të tyre. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar kufirin minimal dhe maksimal të rritjes së pagave të miratuar nga qeveria për secilën nga kategoritë e personelit akademik.

Për anëtarët e personelit akademik efektivë, që për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi mbi normën mësimore vjetore, të miratuar me aktet përkatëse, për çdo orë mësimi, të kryer mbi këtë normë, pagesat do të jetë sipas përcaktimeve në vijim: Kur janë në kategorinë “Profesorë” përfitojnë: për titullin “Profesor”, 1 410 lekë për çdo orë 60-minutëshe, për titullin “Profesor i asociuar”, 1 295 lekë për çdo orë 60-minutëshe. Kur janë në kategorinë “Lektorë”, përfitojnë 940 lekë për çdo orë 60-minutëshe, për rastet kur punonjësit janë në kategorinë “Asistent lektorë”, përfitojnë 705 lekë për çdo orë 60-minutëshe.

Përballimi i efekteve financiare, që rrjedhin nga zbatimi i masës së rritjes që do të mbulohet nga buxheti i shtetit (7 për qind), efektet financiare do të përballohen për vitin 2022 nga fondet e paketës së rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës, ndërsa për vitin 2023 e në vijim nga fondet grant për institucionet publike të arsimit të lartë. Po sipas vendimit, për çdo nivel page të miratuar mbi kufirin minimal, e deri në kufirin maksimal, efektet financiare të diferencave midis nivelit të pagës së miratuar dhe atij minimal përballohen nga të ardhurat e veta të institucioneve publike të arsimit të lartë. Vendimi për rritjen e pagës do t’i shtrijë efektet që nga data 1 tetor e vitit 2022.

Personeli i institucioneve të arsimit të lartë përbëhet nga personeli akademik, personeli ndihmësakademik dhe personeli administrativ. Personeli i institucioneve të arsimit të lartë mund të jetë i punësuar me kontratë, me kohëzgjatje të pacaktuar ose të caktuar, si edhe me angazhim me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë kryen veprimtari të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, shërbime për mbështetje dhe zhvillim të institucionit të arsimit të lartë, këshillim për studentët si dhe veprimtari të tjera.

Fitimi i titujve akademikë
Për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon gradën shkencore “Doktor”, prej së paku pesë vitesh, është personel akademik i kategorisë “Lektor” dhe përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit.
Për fitimin e titullit “Profesor” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon prej së paku pesë vjetësh titullin “Profesor i asociuar”, si dhe përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit.
Personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë, të cilat nuk përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë, si dhe personat, të cilët nuk janë personel akademik pranë ndonjë institucioni, por përmbushin standardet për fitimin e titujve, paraqesin kërkesën pranë një institucioni, i cili përmbush kriteret për dhënien e titujve.
Kandidati për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” ose “Profesor” paraqet dosjen pranë drejtuesit të njësisë kryesore. Dosja e kandidatit i përcillet senatit akademik, pas paraqitjes dhe vlerësimit në njësinë bazë. Senati i kalon dosjen Komisionit të Përhershëm për Promovimin e Personelit Akademik, i cili merr vendimin përfundimtar pas vendimit të jurisë mbi përmbushjen e staSdardeve. Titulli regjistrohet në regjistrin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin. Titulli akademik lëshohet nga institucioni dhe firmoset nga rektori.
Në rast vlerësimi negativ të kërkesës për fitimin e titujve akademikë nga Komisioni i Përhershëm për Promovimin e Personelit Akademik,kandidatit i lind e drejta të ripërsërisë kërkesën pas një periudhe kohore jo më të shkurtër se dy vjet.
Personelit akademik, që mban titullin “Profesor”, pas daljes në pension, në vlerësim të veprimtarisë së spikatur akademike, me propozim të njësisë bazë ku ka zhvilluar karrierën e tij dhe me vendim të Senatit Akademik, i akordohet titulli “Profesor emeritus”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Elbasani dhe Shkodra i bashkohen Tiranës

Nesër mbahet protesta e pedagogëve


Romeo Kara 'shpërthen' ashpër: I duket vetja i paprekshëm

“SPAK ta kishte kapur Metën dhe bandën e tij prej veshësh…”

Balluku: Nuk do të ketë funksion fitimprurës!

“Shkrihet” AlbControl, krijohet një ent i ri