Teksa në universitete ziejnë bisedat nëse këtë vit akademik do të mund të zhvillohet mësim normal në kushte protestash të paralajmëruara nga pedagogë e studentë, është firmosur një dokument që penalizon studentët nëse nuk marrin pjesë në seminare e leksione.
Pra, ato që më herët ishin fakultative, leksionet, nga ky vit janë bërë me detyrim. Fakultetet do të mbajnë regjistër mungesash në orët e shpjegimit, sikundër edhe në seminare dhe në fund kërkohet një total orësh prezence me qëllim për t’u futur në provim. Në të kundërt, studentët rrezikojnë përsëritjen e vitit akademik. Përpos kohës së vitit të humbur, ata paguajnë tarifë shtesë si për provimet që lënë për vjeshtë, ashtu edhe tarifë vjetore në rast të përsëritjes së të gjithë vitit.
UDHËZIMI
Në përfundim të vitit akademik, Ministria e Arsimit ka firmosur një udhëzim, atë nr. 13.datë 20.06.2022 për “Frekuentimin e procesit mësimor, sipas llojit të veprimtarisë mësimore në auditor dhe ciklit të studimit”, në të cilin përcaktohet sasia e orëve që duhet të frekuentojë në seminare e leksione çdo student, në varësi të llojit të ciklit të studimit që ndjek.
Studimet e karakterit profesional përgjithësisht janë më të avantazhuar në raport me të tjerët në ndjekjen e leksioneve. Për studimet profesionale 2- vjeçare nevojitet së paku një pjesëmarrje në 50% të leksioneve, ndërsa për të kryer një Master Profesional duhet një pjesëmarrje në së paku 60% të orëve.
Pjesa tjetër, siç shikohet në udhëzimin e faksimiles përbri është 75% në të gjithë elementët e studimeve, leksione, seminare, laboratorë apo praktika profesionale/klinike. Edhe cikli i tretë i studimeve, duke qenë se kryesisht ata që ndjekin një program doktorature janë në marrëdhënie pune ka një prag të ulët pjesë marrjeje. Si në leksione dhe seminare kërkohet frekuentim në 50% të orëve. Ndërsa kur vjen puna te çështjet praktike siç janë laboratorët apo aktivitete profesionale/klinike përqindja e frekuentimit rritet.
“Programi i studimit të ciklit të tretë ‘doktoratë’ mund të përmbajë si pjesë të tij lëndë të formimit teorik deri në 30 kredite, të cilat realizohen në vitin e parë të programit. Në studimet e doktoratës ku angazhimi në kërkimin shkencor është me kohë të plotë ose të zgjatur, frekuentimi duhet të jetë jo më pak se 75%”, nënvizohet në udhëzimin e Ministrisë.