MENU
klinika

Sporti kundër regjimit

Mbështeti protestat, arrestohet futbollisti iranian

01.10.2022 - 16:31

Futbollisti profesionist iranian Kaveh Rezaei është arrestuar në vendin e tij. Këtë ka konfirmuar familja e tij për organizatën e të drejtave të njeriut të Kurdistanit.

Rezaei, i cili kishte mbështetur protestat kundër autoriteteve iraniane në mediat sociale, thuhet se është arrestuar ditët e fundit. Protestat kundër regjimit iranian filluan më 16 shtator pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini. Kjo e fundit është kthyer në simbolin e protestave pasi, siç ka denoncuar familja, vdiq në duart e policisë morale iraniane.

E reja kishte refuzuar të mbante mbulesën (shaminë) e detyrueshme dhe ishte arrestuar për një “orë riedukimi”. Të premten, më 16 shtator, Mahsa Amini ndërroi jetë në spital, ku kishte mbërritur pas një ataku kardiak.

Familja ka denoncuar se ka qenë një vdekje e dhunshme për të cilën fajësojnë policinë dhe kërkojnë hetim. Autoritetet shpjeguan se vdekja e Amini ishte “fatkeqe”, duke i përjashtuar agjentët policorë nga përgjegjësia. Irani që atëherë është përfshirë në protesta kundër regjimit.

Disa futbollistë janë pozicionuar në favor të revoltës, duke kritikuar veprimet e autoriteteve dhe kërkuar përgjegjësi. Një prej tyre ka qenë Kaveh Rezaei, 30 vjeç.

Sulmuesi ka luajtur 17 herë për kombëtaren e vendit të tij, edhe kësaj vere. 30-vjeçari Rezaei u kthye në Iran verën e kaluar për të luajtur me Tractor FC, pas një periudhe të gjatë në ligën belge, ku veshi fanellat e Charleroi, Bruges dhe Leuven