Për ngjarjen e ndodhur mesnatën e të enjtes në zonën e “Don Boskos” ku humbi jetën një i ri në duart e Policisë ende nuk ka një version zyrtar se çfarë vërtet ka ndodhur me të.
Kur një mori institucionesh kanë marrë përsipër të japin informacion mbi ngjarjen, kanë dëshmuar një mori punonjësish policie, kanë dalë dëshmi, edhe kontradiktore nga autoritetet që kanë për detyrë hetimin, ende nuk dihet saktësisht as momenti kur dhe as vendi ku dha shpirt i ndjeri. Policia, ata që e ndaluan vetëm se e panë si të dyshimtë në rrugë thotë se e ka çuar të gjallë në spitalin e Traumës, ndërkohë që këta të fundit e përgënjeshtruan menjëherë deklaratën e tyre duke bërë të ditur se personi që kishte ardhur me makinën e Policisë ishte i pajetë kur ka hyrë në spital.
Pas dy ditësh protesta, përplasjeve të fuqishme në opinionin publik, por dhe kundër veprimeve arbitrare të punonjësve të Policisë, ditën e djeshme edhe vetë kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka kërkuar 48 orë kohë për të dhënë shpjegime për një ngjarje që në fakt ka ndodhur jo vetëm nën juridiksionin e tij, por madje edhe hetohet nga struktura që ai ka drejtuar deri para pak javësh. Kohen, kryepolici ia ka kërkuar Komisionit të Sigurisë, ku ka qenë i thirrur për çështjen e sulmeve kibernetike, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës janë ndaluar tek ngjarje e fundit që ka ndodhur në Tiranë.
Ndonëse Rrumbullaku nuk ka shpjeguar se për çfarë i duhej koha në dispozicion për të mësuar për atë ngjarje, kur në fakt AMP-ja ka publikuar të dhënat e një autopsie të viktimës, ku punonjësit e Policisë mohojnë dhunën dhe në kohën kur Policia ka mundësinë të ketë në duar të gjitha pamjet filmike të të gjithë itinerarit të pamësuar deri më tani që kanë përshkuar makinat e Policisë me të ndjerin e prangosur. Rrumbullaku iu ka thënë anëtarëve të Komisionit se ai pas dy ditësh jo vetëm do të japë shpjegime për ngjarjen ku humbi jetën Lear Kurti po madje edhe për vrasjen e Klodian Rashës, ngjarje e ndodhur dy vite më parë në Tiranë.
PËRBALLJA NË KOMISION
Kështu, ditën e djeshme, në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, drejtori Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, pritej të fliste për sulmet kibernetike ndaj sistemeve të Policisë, por interesi parësor i deputetëve të opozitës ishte të mësuarit e të vërtetës se si vdiq 32-vjeçari Lear Kurti, pas ndalimit nga Policia për ta identifikuar dhe kontrolluar nëse kishte gjëra të paligjshme me vete. Po para se sa të niste seanca, ka ndërhyrë deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferi, i cili është ndaluar pikërisht te ngjarja e paprecedentë e humbjes së jetës së të riut nga Tirana: “Sot, situata ka degraduar shumë më rëndë, kemi një polici që i merr jetën qytetarit. Dhe është e turpshme për ne, të nisim këtë seancë për sulmet kibernetike, pa i kërkuar më parë drejtorit të Policisë të japë shpjegime. Komiteti i Helsinkit ka thënë se policia ka shkelur kushtetutën”.
Pavarësisht se po mbushet një javë nga nata kur ndodhi ngjarja e rëndë dhe me plot dyshime, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore drejtuar nga Ardi Veliu, ka kryer hetime, drejtori Përgjithshëm i Policisë kërkoi më shumë kohë për t’u përgatitur e folur për këtë ngjarje.
“Jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve dhe të jap shpjegime në lidhje me sa kërkohet nga ana juaj. Edhe për çështjen e të ndjerit Rasha, duke qenë në detyrën e kreut të AMP-së. Do t’iu lutesha që, jo çdo gjë që shpërndahet mediatikisht për opinionin nuk do të thotë se janë të vërtetat reale të hetimeve që kryejnë institucionet e drejtësisë”, tha Muhamed Rrumbullaku.
Rrumbullaku mbante postin e drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe hetoi vrasjen e Klodian Rashës nga Policia që drejtohej nga Ardi Veliu edhe pse ajo ngjarje nxiti zemërim të madh te të rinjtë, të cilët u çuan në protesta madje të dhunshme duke provokuar jo pak tension në radhët e Policisë së Shtetit. Po ndërsa me protestat për aktin mizor të kryer ndaj Rashës dha dorëheqjen ministri i Brendshëm të asaj kohe, edhe për ngjarjen ku humbi jetën Lear Kurti kërkohet dorëheqja e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Ky i fundit prej ditësh nuk është shfaqur me asnjë deklaratë për aktin e rëndë të së enjtes, por ka gjetur rastin në një ceremoni për policët e rinjtë të lëshojë akuza ndaj opozitës dhe të gjithë opinionit që nuk bindet dot me versionin e policisë se i riu nuk është dhunuar nga policia. Ai iu bëri thirrje efektivëve të rinj që të përgatiten për baltosje, duke lënë të kuptohej se edhe efektivët që morën pjesë në atë ngjarje të pazbardhur edhe pse janë vetë protagonistë, po baltosen.