MENU
klinika

Arkeologjia klasike

Muzeu i Napolit çel festivalin në Tiranë

25.10.2022 - 12:20

Të shumtë kanë qenë pjesëmarrësit mbrëmë në Muzeun Arkeologjik në Tiranë, për të ndjekur Festivalin Europian të Filmit Arkeologjik, i cili u çel me Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Napolit, një nga më të rëndësishmit në botë për arkeologjinë klasike. Pjesë e tij është mozaiku i Aleksandrit, gjetur në Pompei në shekullin e 19-të, po edhe një sërë mitesh të Magna Grecia-s, si miti i Sibilës së Kumës. Të gjitha bashkë nxitin imagjinatën herë me legjendën e herë me paraqitjen vizuale.

Ndërkohë sot, festivali vijon me Francën. Dokumentari i Axel Clevenot-së “Në gjurmët e provincialëve të parë” (2013, 52 min.) ndjek udhëtimin në Provence-Alpes-Côte d’Azur. Itinerari i realizuar sipas një ditari udhëtimi, na njeh me popullimin e këtij territori gjatë Prehistorisë. Është gjithashtu një film për historinë e mënyrës së jetesës, përdorimin e lëndëve të para, momentet kyçe ekonomike etj. Është një vështrim i ri në një rajon me një pasuri të habitshme, për të kuptuar më mirë historinë e paraardhësve dhe rrënjët e bashkëkohësve.

Festivali Europian i Filmit Arkeologjik, “Arkeovizion”, do të vazhdojë deri më 29 tetor. Tema e këtij viti e quajtur “Kthim në të ardhmen” fokusohet në trashëgiminë arkeologjike. Filmat qe prezantohen do të jenë nga Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia.

“Arkeovizion” nisi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka gjetur mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim t’iu qaset ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike.