MENU
klinika

Poeti profet i paqes

Naimi, rilindasi i madh i kombit

20.10.2022 - 14:34

       Vdiq Naimi, vdiq Naimi/ moj e mjera Shqipëri!/Mendjelarti, zemërtrimi,/vjershëtori si ai! –  kështu do ta vajtonte humbjen poetit tonë kombëtar, Çajupi. Naim Frashëri u nda nga jeta në 20 tetor të vitit 1900, në lagjen “Erenqoj” të Stambollit, ku dhe u varros. Ndërsa eshtrat e tij, janë sjellë në Shqipëri.

Naim Frashëri u lind më 2 maj 1846 në Frashër, ku kreu mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” (1869). Bëri pastaj pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas, i doganës në Sarandë (1372-77). Në këtë periudhë, Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash “Tejhyjylat” (“Ëndërrimet”, 1885).

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqipe. Poema e tij e parë e re, ishte “Shqipëria” (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll, Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria”(1884-85), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza dhe vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.

 

Më 1886, Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme “Bagëti e bujqësia”, atë greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”.

Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe “Fjala flutarake” (vjersha) më 1894, së fundi më 1898, poema e madhe epike “Historia e Skënderbeut’ dhe poema fetare “Qerbelaja” etj.

Naim Frashëri. u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat “Gjuha shqipe”, “Korçës” 1887 etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut (“Bagëti e bujqësia”) dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema “Bukuria”, një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema “Historia e Skënderbeut”qe një kurorëzim i veprës së tij, “testamenti i tij politik e poetik”, me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia. Poema është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkirnin e dogmës fetare (në “Qerbelaja” dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).

Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha “Perëndia”1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i tij, në thelb ishte panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizmin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri, me demokratizmin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t’u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit