MENU
klinika

Qortim e pastaj gjobë

Kosovë/ Nesër hyn në fuqi vendimi për targat ilegale

31.10.2022 - 11:07

Të premten më 28 tetor, Qeveria e Kosovës mori vendim të ri lidhur me targat ilegale të veturave të lëshuara nga Serbia për serbët në Kosovë.

Ky vendim do të hyjë në fuqi nga nesër, më 1 nëntor 2022.

Qytetarët serb në përgjithësi po e kundërshtojnë ndërrimin e targave nga ato “KM” në RKS, derisa autoritetet e Kosovës janë të vendosura për të filluar zbatimin e vendimeve.

Kryeministrit Albin Kurti, tha se do të ketë sanksione për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe siç parashihet me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës.

Vendimi parasheh që duke filluar nga nesër 1 nëntor e deri më 21 do për të gjithë ata që nuk i kanë konvertuar targat në RKS do të vlejë vetëm masa e qortimit.

Sipas këtij vendimi parashihet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat ilegale.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për një vendim të tillë janë shprehur të zhgënjyer nga Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Bashkimi Evropian nëpërmjet një komunikate për medie, shprehu zhgënjimin pasi Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e bllokut dhe të Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, për 10 muaj.

Në reagimin e BE-së thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve ndërkombëtarë, kanë kërkuar që të zgjatet periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave për 10 muaj.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha në deklaratën e Price.

Kritika ndaj vendimit të ri të Qeverisë për targat pati edhe nga opozita në Kosovë. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se opozita e tanishme nuk duhet të bëjë gabimet e opozitës së Kurtit duke mohuar edhe Kosovën.

“Opozita e mëhershme, padurimin ndaj udhëheqësve të kohës e ka shndërrua në mohim ndaj Kosovës dhe gjithçkaje. Nuk guxojmë të biem në atë grackë”, ka deklaruar Çitaku.

Kurse kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se vendimi për targat, i paharmonizuar dhe i pa konsultuar me aleatët perëndimorë, posaçërisht me SHBA, është një vendim shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin.

“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të botës të na ndihmojnë t’i japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë, dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye në veti e pa koordinim me partnerët strategjikë”, ka thënë Haradinaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shefi i UNMIK thirrje Kosovës e Serbisë

“Çështja e targave të zgjidhet përmes dialogut”

Paralajmërimi i fortë i diplomatit amerikan

“Më 1 shtator mund të ketë dhunë!”


"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi