Ditën e sotme ka nisur viti i ri akademik ne Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, sakaq duket se pedagoget e UAMD nuk kanë protestuar, por në shenjë solidariteti me kolegët e tjerë dhe kërkesat e sindikatave, janë mbledhur në oborrin e kampusit universitar.
Java e parë e universitetit pritet të jetë javë orientimi dhe informimi drejt programeve përkatëse dhe klubeve studentore, sakaq menjëherë sapo ky proces ka përfunduar, një grup prej 30 pedagogësh, janë mbledhur në shenjë solidariteti me kërkesat e kolegëve të tyre duke u shprehur për mikrofonin e Report Tv se pagat e tyre prej 2 dekadash kanë mbetur në vend numëro, pa asnjë ngritje ndërkohë gjë kostot e jetesës janë rritur.
Regjistrimet dhe te dhënat paraprake për degët më të preferuara duket se janë degët e infermierisë, mamisë, shkencave kompjuterike dhe ato te navigacionit detar, një pjese e të cilave janë dege profesionale 2-vjecare.
Sakaq, degët të cilat duket se tërheqin më pak studentë në regjistrime kohët e fundit, janë degët e drejtësisë dhe shkencave politike për të cilat në vijim do të pritet dhe një analizë e detajuar nga stafi akademik me arsyen e rënies se regjistrimeve në këto degë.
Sa u përket programeve të studimeve, asnjë prej tyre nuk rrezikon mbylljen, ndërkohë që në secilin program janë plotësuar minimalisht në 80% të kapacitetit, kuotat e regjistrimit.
Një rritje të ndjeshme në regjistrime ka pësuar dhe Fakulteti i Edukimit në të cilin ka një rritje me 15% të regjistrimeve këtë vit në programet e tij.
Sa u përket të dhënave të stafit, duket se UAMD nuk ka mungesa dhe stafi është i plotësuar, por thirrjet për pedagogë të jashtëm për të punuar me kohë të pjesshme, mbeten në fuqi.
Deri tani në UAMD nuk konstatohet ndonjë situatë që mund të shkaktojë anomali në nisjen e vitit të ri akademik ndërkohë që universiteti po përgatitet për të nisur javën e pare te orientimit të studentëve drejt degëve dhe programeve përkatëse.
Sa i përket kostove të përballimit të studimeve, studentet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, shprehen se kostot janë te përballueshme pasi viti akademik kushton vetëm 12.500 leke të reja, por problem për studentet e ardhur nga rrethet mbetet mungesa e konvikteve. Ata janë të detyruar të kërkojnë për banesa me qira dhe të punojnë gjatë verës për të minimizuar kostot gjatë vitit, familjet mbeten mbështetja e tyre me e madhe.