Në fushatën e kacafytjeve mes veprimtares Kokalari dhe mbështetësve të Berishës, nuk vlejnë debatet për idetë konservatore apo sovraniste, pasi ato në fakt nuk kanë qenë thelbi i arsyes përse ata janë bërë bashkë. Ata nuk u bën bashkë një vit më parë për të bërë PD-në më konservatore apo më sovraniste, por u bënë bashkë t’i gjendeshin Berishës në ditët e tij më të zeza të karrierës politike, kur u shpall familjarisht si person i përfshirë në korrupsion madhor, minues i demokracisë në vend dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë.
Në atë krizë braktisje, pas vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar edhe nga Grupi Parlamentar i PD, Sali Berisha nisi “Foltoren” e tij, një fushatë për t’iu kundërvënë sanksioneve amerikane, ku si tabelë qitje ishte Lulzim Basha, ekzekutuesi i vullnetit të SHBA kundër Sali Berishës.
E gjithë përpjekja ishte të tregohej se Berisha ishte i zoti të ngrinte një frymë anti-amerikane në vend. Në fakt, e gjitha vazhdon të jetë një gënjeshtër dhe ajo që është e vërtetë, është se Berisha është përpjekur ta blejë familjarisht mbështetjen publike.
E vetmja gjë që vlen në debatin e veprimtares Kokalari, është se ajo tregon se u angazhua në këtë fushatë pasi e thirri djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha.
Ky detaj tregon shumë për politikën tribale të Sali Berishës dhe angazhimin e tij edhe familjar dhe financiar, në këtë fushatë super të shtrenjtë, me fonde të padeklaruara askund, për t’iu kundërvënë SHBA.
Fakti që veprimtaren më të zellshme të kësaj fushate, e ka kontraktuar direkt djali i Sali Berishës, tregon qartë çfarë është “Foltorja”, një projekt privat i familjes Berishës, duke blerë mercenarë për një betejë kundër SHBA, nga “trezorieri” i familjes.
Në këtë fushatë natyrisht ka plot njerëz që u përputhen idetë e tyre me hallin e Sali Berishës, ka njerëz që mendojnë se ka ardhur koha që meqë PD është në hall, t’i imponohet një identitet tjetër nga ai për të cilin është krijuar, ka pastaj delirantë, të çmendur dhe mitomanë, që gjejnë rastin të marrin mikrofonin në dorë dhe që Berisha i quan “oratorë”, e plot njerëz që u bie rruga nga mitingjet e tij.
Por e vërteta është që në qendër të këtij aksioni është thjesht familja Berisha dhe paratë e saj të fituara nga korrupsioni madhor i tridhjetë viteve në Shqipëri.
Veprimtarja Kokalari e ka thënë në mënyrë spontane, ndoshta për të treguar rëndësinë e angazhimit të saj, duke u thirrur nga djali i Sali Berishës. Mendo tani të njëjtën garniturë politike në pushtet, se si djali i Sali Berishës do të thërrasë sërish njerëz për drejtor tatimesh, si pagatori që ka nga pas, drejtor doganash, apo për të paguar haraçet për kontrata tenderësh e koncesionesh.
Mos të shkoj dhe më tej pastaj për ato që do të thërrasë gruaja e tij, të blejnë të brendshme të shtrenjta tek dyqani i saj, si kontribut për pushtetin.
Është thjesht reagimi i një familje hajdutësh, që ka humbur parajsën e milionave dhe me milionat e vjedhura po përpiqet t’i kundërvihet Perëndimit në emër të Shqipërisë. E kupton këtë, kur shikon kush janë ata që u shkojnë nga pas, kush janë ata pedagogë që veshin kostume protestuesi, kush janë ata veprimtarë të shoqërisë civile, që janë më të egër se një repart ushtarak talibanësh, dhe mbi të gjitha, kur dikush prej tyre, siç është rasti i veprimtares Kokalari, dëshmon vet se kush e ka thirrur në këtë betejë.
Është një bandë e paguar nga i biri, e bija, gruaja dhe vet Sai Berisha. Në fakt, është e para herë që ata po paguajnë për të tjerët. Ka tridhjetë vjet që të tjerët paguajnë për ta.