MENU
klinika

2 akt-propozimet e Ministrisë së Drejtësisë që u miratuan sot

“Një kategori ish-të përndjekurish do të marrin dëmshpërblim financiar”

26.10.2022 - 14:02

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka treguar dy akt-propozimet e Ministrisë së Drejtësisë që u miratuan ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave.

Bëhet fjalë për aktin e dëmshpërblimit financiar të disa ish-të përndjekurve politikë dhe për projektligjin për shërbimin përmbarimor shtetëror.

Manja ka shtuar se ka qenë qeveria Rama ajo e cila ka miratuar ligjin për të drejtën e informimit publik dhe ligjin për njoftimin dhe konsultimin public dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.

“Kaluan dy akte që vijnë si propozim i Ministrisë së Drejtësisë.

Akti i parë është ai i dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit politik, ku do të jenë 54 subjekte që e kanë të plotë dokumentacionin që përfitojnë.

Subjektet e përfitimit janë jo vetëm ata që i kanë vuajtur vetë këto vite burgu, por edhe familjarët e tyre. Kjo masë as i zhbën dhe as i kthen vitet e vuajtjes së ish-të përndjekurve, por tregon interesin për këtë shtresë.

Akti i dytë është projektligji për shërbimin përmbarimor shtetëror. Ka për qëllim të rregullojë dhe t’i japë zgjidhje problematikave të këtij shërbimi. Domozdoshmëri për dy arsye. Ky shërbim nuk garanton cilësi në shërbimet për qytetarët shqiptarë dhe operon mbi një ligj të vitit 2001. Ne kemi gati të gjithë paketën nënligjore të këtij ligji.

Në fakt i kam dëgjuar reagimet e fillimit të javës lidhur me ligjin për të drejtën e informimit publik. Këto ligje janë nisma janë të propozuara nga komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Më lejoni t’ju them se diskutimi për këto ndryshime ka nisur që në vitin 2018 dhe i janë nënshtruar një konsultimi të gjerë publik dhe diskutimeve me grupet e interest. Ne jemi të hapur për të gjitha sugjerimet nga shoqëria civile lidhur me këtë projektligj. Përpara se ligji të vinte në Ministrinë e Drejtësisë ka marrë edhe ekspertizën e ekpertëve të OSBE-së. Është kjo qeveri që në vitin 2014 ka miratuar ligjin për të drejtën e informimit publik dhe ligjin për njoftimin dhe konsultimin public dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Në vitin 2022 jemi po ne që kemi miratuar konventën për aksesin në dokumentat zyrtare dhe në një sërë dokumentash të tjera. Qëllimi ynë është shumë i qartë, qytetarët duhet të jenë pjesë e qeverisjes.

Në fakt lidhur me amnistinë penale është traditë që çdo fundviti të ketë amnisti penale. E fundit është bërë në vitin 2020. Ne po bëjmë një studim dhe në momentin që do të dalim me një rezultat do t’ju njoftojmë”, u shpreh Manja.