MENU
klinika

Takimi me ish-ministrin grek

“Papuliasi, më kërkoi hapjen e kishave në Dropull”

05.10.2022 - 12:09

        “Në fakt, nuk ishte linjë zyrtare, por funksionarë të shumtë në Tiranë, sa njiheshin me probleme të Lazaratit merrnin profil shpërfillës. Vazhdoi kështu për vite me radhë. Asnjëherë nuk e mora vesh arsyen e vërtetë të kësaj sjellje, por nuk u tërhoqa nga përplasja me këta njerëz, që e shikonin komunitetin e fshatit të lashtë me syrin e njerkës…”.

Fakti që zbulon në vazhdim të rrëfimit për gazetën “Panorama”, ish-deputetja e fshatit Lazarat, është sa interesant aq dhe i trishtë. Sidoqoftë, Çuri ndihet krenare që nuk është kursyer në përpjekjet për të bërë më të mirën për banorët inteligjentë e atdhetarë të Lazaratit, me të cilët siç thotë vazhdon të mbajë lidhje e miqësi të sinqertë. Ndërkaq, ish-drejtuesja e Parlamentit komunist sjell një sërë episodesh të tjera nga përjetimet e atyre viteve ku veçon mbresat nga takimi e bisedimet me Papulasin, tronditjen për arrestim e nipit dhe refuzimin që i bëri Enveri kërkesës së saj për t’u takuar për një problem personal….

Zonja Vitori! Keni qenë pjesëtare e komisionit për hartimin e Kushtetutës së vitit ‘76, çfarë kujtoni debatet për shqyrtimin e këtij dokumenti?

Me sa mbaj mend, ka qenë një komision shumë i madh dhe në drejtimin e tij punonin disa nënkomisione që përbeheshin me specialistë të fushave të ndryshme, si juristë, akademikë, profesorë, mjekë, politikanë, gazetar etj. Unë aty, me sa duket, isha thirrur me cilësinë e deputetes minoritare, por edhe si një nga drejtueset e sektorit të bujqësisë. Kemi bërë disa takime deri te mbledhja e miratimit të dokumentit të Kushtetutës. Më kujtohet që Enveri ishte i pranishëm vetëm në takimin e fundit..

Çfarë mbani mend nga ndërhyrjet e Enverit në mbledhjen për miratimin e variantit përfundimtar të Kushtetutës të ‘76-ës?

Mbledhja ku mori pjesë Enveri, ishte si të thuash, një akt celebrues i punës disa mujore të komisioneve e nënkomisioneve. Si e tillë kuptohet nuk bëhej fjalë për debate. Gjërat ishin sheshuar e zgjidhur hap pas hapi. Në krye të këtij aksioni kishte qenë Byroja Politike me KQ dhe me sa dukej Enveri e kishte ndjekur nga afër procesin gjatë tërë kohës. Aty më shumë u fol për rëndësinë e Kushtetutës si dokument, se sa për përmbajtjen e saj…

Pra, nuk keni ndonjë mbresë të veçantë nga pjesëmarrja në komisionin e Kushtetutës…

Kam një episod personal që nuk ka lidhje me objektin e mbledhjes. Kur u fut Enveri në sallë, më pa në fund të saj dhe erdhi e më takoi. “Pse këtu te fundi, ti dropullitja e pararojës”, m’u drejtua dhe nisi të pyeste për punët e bujqësisë. “Me këtë dimër të zgjatur, ia ktheva me emocion, do kemi probleme me grurin, se koha nuk na lë ta mbjellim”. Sakaq Enveri më hodhi dorën në supe dhe me një zë të qetë shtoi: “grurë e drithëra sivjet do të kemi më shumë se kurrë”. Ke parë ti që profecia i doli. Atë vit patëm me të vërtetë rendimente të larta bile jo vetëm në grurë. Ia kujtova Enverit këtë në njërën nga seancat e parlamentit në fund të vitit. Qeshi dhe me një lloj solemniteti u shpreh se gruri dhe drithërat janë më të rëndësishme se topat e tanket për sovranitetin e vendit…

Në Parlament, për gati dy dekada keni përfaqësuar zonën e Dropullit. Gjatë kësaj periudhe shtypi perëndimor, sidomos ai grek, denonconin me të madhe shkeljen e të drejtave të minoritetit. Si reagonte Kuvendi ndaj këtyre zërave?

Këto zëra padyshim në një formë apo në një tjetër vinin në institucionet e shtetit. Reagimi ndaj tyre ishte i formave të ndryshme. Unë për vete i vlerësoja me një lloj rezerve. E njihja gjendjen nga afër dhe të them të drejtën nuk më rezultonte siç e paraqisnin të huajt. Kur them këtë kam parasysh kushtet e sistemit, në të cilin jetonim. Pavarësisht përmbajtjes së tij, e vërteta ishte se pjesa minoritare që jetonte në zonën e Dropullit, kishte kushte relativisht më të mira nga krahinat e tjera të Gjirokastrës. E vlerësuar si një çështje delikate, sjellja ndaj minoritetit, për krerët e regjimit dashje pa dashje, merrte një përkujdesje disi të veçantë…

Pra, Dropulli kishte një standard jetese më të përparuar se në zonat e tjera…

E kam pohuar këtë dhe herë të tjera, gjithnjë në kontekstin e rrethanave të asaj kohe. Po çfarë kishte më tepër zona e Dropullit nga të tjerat? Në çdo fshat kishte shkollë, qendër kulture, konsultore për shëndetësinë, ujë të pijshëm etj. Vërtetë që ca më vonë këto u bënë edhe në pjesët e tjera të rrethit, por jo si në Dropull, bile-bile akoma në ndonjë syresh nuk ka ujë të pijshëm e rrugë makine. Një tjetër avantazh për zonën minoritare ishte sigurimi i transportit urban me “fizarmonikë” që përshkonte tej e mbanë tri herë në ditë tërë fshatrat e Dropullit. Pa përmendur këtu investimet në bujqësi, ndërtim etj. Ndërkaq dallonim nga të tjerët në aspektin e mirëqenies. Burrat e Dropullit, gati pa përjashtim, punonin në qytet në ndërmarrje shtetërore dhe merrnin dyfishin e atyre që punonin në bujqësi. Po kështu për minoritetin shikohej me prioritet çështja e bursave dhe sidomos ajo e kualifikimit për specialitete profesionale mekanikë, punonjës tregtie, shoferë, mjeshtër ndërtimi etj. Kur flas për këto, nuk nënkuptoj parajsën e komunizmit, pasi tanimë të gjithë e kemi denoncuar si sistem e praktikë, por e kam fjalën për dallimin lidhur me standardet e jetesës. Jam partizane e parimit për ta parë të vërtetën në sy, pavarësisht koniunkturave të ditës…

Ka pasur me sa duket një strategji të veçantë për çështjet e minoritetit…

Unë kam pasur rastin të ngre disa herë në Parlament probleme të ndryshme nga zona e Dropullit dhe gjithmonë kam gjetur mbështetje maksimale për t’u dhënë rrugëzgjidhje brenda mundësive dhe legjislacionit të kohës. Kam pasur të tilla për raste sëmundjesh, bursash, vende pune, për riparime rrugësh, shkollash e ujësjellësish dhe gjithmonë kam ndjerë angazhimin e strukturave shtetërore për të bërë më të mirën. Jam ndjerë si të thuash e privilegjuar, duke u bërë e besueshme për pjesën e zgjedhësve të mi nga Dropulli. Po nuk më ka ndodhur kështu kur jam angazhuar për probleme të zonave të tjera jo minoritare…

Sidoqoftë, ju në Parlament përfaqësonit minoritetin e rrethit të Gjirokastrës…

Nuk e përmenda kot rastin e indiferencës për pjesën jo minoritare. E kam ndjerë këtë sidomos kur përfaqësoja si deputete në Kuvend banorët e Lazaratit. Sa herë përcillja prej tyre në Tiranë shqetësime e sugjerime të ndryshme, konstatoja një shurdhëri disi shpërfillëse. Më dukej e çuditshme mënyra si reagonin zyrtarët kur i prezantoja me to. Për mjaft syresh Lazarati meritonte syrin e njerkës. Kështu ka qenë. Një sjellje jo e denjë për njerëz atdhetarë e besnikë, për gra e burra fisnikë, për të rinj e vajza të etur për dije e përparim. Lazarati për mua në të gjitha kohët ka pasur një komunitet të lidhur ngushtë me vendlindjen dhe shumë solidar me të tjerët. Edhe sot kam shumë miq e të njohur nga ky fshat, që i çmoj jashtë mase e më respektojnë me një sjellje të përzemërt. Shkoj shpesh aty si në shtëpinë time dhe kudo që trokas më nderojnë si dinë ata. Në raportet me ta më ka ngelur peng që nuk u kam treguar mënyrën si shpërfilleshin dikur hallet e tyre nga zyrtarë të shumtë të regjimit të komunizmit. Megjithatë, inteligjenca natyrore e atyre njerëzve është në gjendje t’i njohë mirë e t’i kapërcejë me mençuri reminishencat e mëkateve të së kaluarës…

Pra, keni qenë deputete e Lazaratit dhe keni ndjerë shpërfilljen e zyrtarëve të Tiranës në zgjidhjen e halleve të tyre..

Unë isha pjesë e sistemit, së paku nga pozicioni i detyrës si deputete dhe nënkryetare e Kuvendit dhe nuk më shkon mania e përgjithësimit të gjërave. Pastaj nuk mendoj se kemi të bëjmë me një vijë të përgjithshme, por me sjellje neglizhuese të zyrtarëve të ndryshëm, që e shikonin Lazaratin me syrin e njerkës…

Ndoshta do të ishte më mirë t’u referohemi rasteve konkrete. Cilat ishin çështjet që sillnit nga Lazarati dhe nuk gjenit mbështetje në Tiranë?

Erdha një herë për ujësjellësin. Gjithë ai fshat me gati 200 shtëpi nuk kishte një pikë ujë. “Për kë e do?”, më thanë në Tiranë. “Për Lazaratin”, saktësova unë. “Kalo në problemin tjetër”, ma bënin ata. Erdha një herë tjetër, për shkollën. Lazarati në atë kohë mund të kishte shkollën më të rrënuar në shkallë vendi. “Për kë e ke?”, prapë ata. Përsëri e njëjta sjellje, e njëjta shurdhëri. Po kështu edhe për shumë shqetësime të tjera. Një herë bile dola nga vetja dhe u rrëmbeva: “Të njerkës e kemi këtë Lazaratin që nuk ia vini veshin!”…

Të çfarë rangjesh ishin këta zyrtarë që shpërfillnin shqetësimet e banorëve të Lazaratit?

Kishte nëpunës të zakonshëm, por edhe funksionarë të lartë, bile deri te Kryeministri..

E keni fjalën për Mehmet Shehun…

Nuk më ka qëlluar asnjëherë të bisedoj për këto gjëra me Mehmet Shehun, por e kam fjalën për Adil Çarçanin. Të them të drejtën, kur trokita për herë të parë në zyrën e tij, kisha bindjen se do më dëgjonte me vëmendje e do më mbështeste. Natyra babaxhane e tij, por sidomos një lidhje e hershme me këtë fshat, më shtynin të besoja se do më ndihmonte. Adili qysh në kohën e Luftës së Dytë Botërore kishte martuar motrën në Lazarat, te fisi i Bocajve. Por dhe nga zyra e tij dola duar bosh..

Çfarë i kërkuat Adil Çarçanit, për Lazaratin?

Kanë kaluar vite e nuk më kujtohet me hollësi çfarë kam ngritur tek Adili për Lazaratin. Mbaj mend që në një rast i kam shtruar çështjen e bursave për shkollë të lartë, madje me një lloj revolte. “Bursat që përfiton Lazarati, janë me pikatore, kur fshatrat e tjerë shumë herë më të vegjël marrin disafishin e tyre”, i thashë. “Mirë, mirë, po i thonë Lazarat atij”, u shpreh pas një pauze të shkurtër Adili. “Ç’do të thotë kjo”, e pyeta unë. “Të bëjnë dhe ata durim si të tjerët”, saktësoi Kryeministri pa ndonjë mendim të qartë në kokë. Në një rast tjetër, gjatë pushimeve të seancës plenare mbaj mënd që i kërkova dhe diçka tjetër Adilit për Lazaratin. Fillimisht bëri sikur nuk dëgjoi, po kur ia përsërita duke i thënë se janë shqetësime të një fshati të tërë, ma ktheu shkurt: Hë, mo, se atë punë kanë lazot!…

Ky qëndrim ju bënte të tërhiqeshit…

Asnjëherë nuk jam tërhequr për gjërat që kam menduar se ka mundësi për t’u zgjidhur. Mbaj mend një rast. Nga 11 djem të familjes Koçiu, asnjërit nuk i jepnin bursë për shkollë të lartë. Ma tha këtë një ditë me shumë mirësjellje i ati i tyre. Atë vit sa kishte mbaruar shkollën e mesme njëri nga djemtë, Axhemi. Ishte shpallur lista e bursave dhe si të tjerët kishte mbetur jashtë saj. U takova vetë me të. Tani plani është mbyllur. Do shikojmë e do bëjmë diçka, e qetësova. “Ka mbetur vetëm shkolla e partisë”, ndërhyri Axhemi, “pa shiko mos më bëje gjë për atë”. “Aty duhet të jesh anëtar partie”, i shpjegova unë. “Po le të bëhem anëtar partie”, këmbënguli djaloshi që me sa dukej nuk e kishte parasysh procedurën përkatëse. Shkova në fillim te Nedin Hoxha që ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv. Trokita dhe në Tiranë. Për fatin e Axhemit u hap drita jeshile dhe ai u fut në shkollë të lartë, por jo në atë të partisë. Ma kujton edhe sot e kësaj dite dhe herë pas here qesh kur i kthehet asaj historisë të anëtarësimit në parti. E vërteta është se kam menduar gjatë arsyen e vërtetë të kësaj sjellje. Me veten time e kam vlerësuar një lloj penalizmi për çështje biografie, për natyrën krenare e rebele të njerëzve të Lazaratit dhe sidomos nga shpërfillja e tyre për gjërat e panatyrshme të regjimit…

Zonja Vitori! Ju keni marrë pjesë në të gjitha takimet që bëri Papulasi gjatë vizitës së parë në Shqipëri…

Ka qenë një vizitë interesante, pas gjithë asaj periudhe të ngrirë të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Media e kohës e ka përcjellë me detaje këtë eveniment. Unë kam disa mbresa personale nga biseda me të. Papulasi më tregoi se në Shqipëri kishte shkak të ndihej paksa shqiptar, pasi kur kishte qenë fëmijë kishte pirë qumësht nga gjiri i një gruaje nga Fieri. Po kështu më tha se njihej me tim shoq, Dhimitraqin, me të cilin kishin bërë shkollën në Voshtinë. Ishte dashamirës e herë-herë i kapërcente caqet e protokollit zyrtar. Gjatë bisedimeve qeveritare zyrtare në Gjirokastër, foli gjatë me Ramiz Alinë dhe sa herë binte fjala për të drejtat e minoritetit, kthente sytë nga mua. U interesua për shkollat greke, për gjendjen e fshatrave të Dropullit dhe në fund, si shkarazi nxori problemin e kishave. Aty, me diplomaci, vuri në dukje se kishim të bënim me shkelje të të drejtave të njeriut…

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit