Edhe pse individualisht ka fituar më së shumti vota, koalicioni rreth Partisë Demokratike Socialiste (DPS) të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka humbur në kryeqytet, Podgoricë, pas 24 vjetësh në pushtet.
Zgjedhjet lokale në 13 komuna të Malit të Zi u mbajtën më 23 tetor.
Përveç në Pogdoricë, partia e Gjukanoviçit humbi zgjedhjet edhe në Plevla, Danillovgrad, Zhablak, Kollashin dhe Zeta, që deri pak kohë ishte pjesë e kryeqytetit.
Shumica në Podgoricë, ku pothuajse një e treta e popullsisë së Malit të Zi jeton, u mor nga partitë që fituan zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, dhe të cilat thanë se nuk do të bëjnë negociata për formimin e Qeverisë me DPS-në.
Në garën për kryeqytetin, partia e Gjukanoviçit fitoi 24 mandate, lëvizja Evropa 13, Fronti Demokratik pro-rus 11, Demokratët morën 6 mandate dhe lëvizja URA 4. Fituesit e zgjedhjeve festuan fitoren në rrugët e Podgoricës me fishekzjarrë dhe me këngë nacionale serbe.
Përveç Podgoricës, partia e Gjukanoviçit ka fituar më së shumti mandate edhe në disa qytete të tjera, por për shkak të mungesës së koalicioneve paszgjedhore, kundërshtarët e presidentit malazias pritet të marrin udhëheqjen e qyteteve.
Lëvizja Evropa Tani, që është formuar së fundmi dhe udhëhiqet nga Jakov Millatoviç dhe Millojko Spajiq, ish-ministra të Qeverisë së rrëzuar të Zdravko Kirvokapiçit.
Në Tivar, qytetit më të madh port të Malit të Zi, partia e Gjukanoviçit ka ruajtur pushtetin, sikurse në Bijello Pole dhe Plavë, ku së bashku me partnerët e koalicionit ka fituar shumicën.
Në Danillovgrad, Kollashin, Plevla, Zhablak, Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Evropa tani po negociojnë se kush do të udhëheqë, pavarësisht se partia e Gjukanoviçit ka fituar më së shumti mandate. Pas zgjedhjeve lokale, të gjitha partitë u shprehën të kënaqura me votat e fituara./rel/