Fitore me përmbysje dhe duke shtrënguar dhëmbët e Manchester United në “Goodison Park” përballë Evertonit. 1-2 përfundoi ky duel i javës së nëntë të Premier League-s, në të cilin Cristiano Ronaldo realizoi golin e tij të parë në kampionatin elitar anglez për këtë sezon dhe të 700-in në karrierë në nivel klubesh.
Tri pikë me shumë vlerë për “Djajtë e Kuq”, që vinin pas atij “dushi të ftohtë” që morë në derbin e Manchesterit përballë City-t (6-3). Fitorja e pestë në total në këtë kampionat, që e ngjit ekipin e Ten Hag në vendin e pestë.
E nisi keq skuadra e Ten Hag, që pësoi gol që në minutën e pestë (shënoi Iwobi), por Antony dhe më pas Cristiano Ronaldo (zëvendësoi Martial në pjesën e parë) kthyen rezultatin, të cilin “Djajtë e Kuq” e ruajtën me shumë vështirësi në minutat e mbetura të lojës. Nga ana tjetër, për skuadrën e Lampardit vjen humbja e tretë sezonale, pas dy fitoreve radhazi.