Tension, kaos dhe grushte gjatw stërvitjes së skuadrës kampione në NBA, Golden State Warriors. Dy nga lojtarët më të mirë të skuadrës, Draymond Green dhe Jordan Poole, janë përplasur fizikisht mes tyre.
Sipas mediave amerikane (The Athletic), Green ka goditur me grusht Poole, pas një incidenti që ka ndodhur në parket. Për pasojë, Green rrezikon një dënim nga klubi edhe pse kjo gjë nuk konfirmohet ende.
Green i ka kërkuar ndjesë klubit për gjithçka ka ndodhur gjatë stërvitjes, duke u justifikuar se gjesti i tij ishte pasojë e një ndryshimi të sjelljes së Poole gjatë stërvitjes. Gjithsesi, një justifikim që nuk merret shumë parasysh. Bob Meyers, shefi i Warriors, sqaroi:
“Janë gjëra që ndodhin. Askush nuk i pëlqen këto gjëra dhe ne nuk do ta falim. Draymond i ka kërkuar falje skuadrës, i pranishëm ishte edhe Jordan. Për sa i përket masave disiplinore, ato do t’i vendosim brenda skuadrës”.
Pas atij incidenti, Gren u largua nga qendra stërvitore dhe do të qëndrojë “pushim” deri ditën e shtunë. Mësohet se ai fillimisht ka shtyrë të riun Poole dhe më pas e ka goditur me grusht në fytyrë.