News24” zbardh dëshmitë e dhënë para hetuesve të efektivëve që shoqëruan mbrëmjen e 19 tetorit në komisariat Lear Kurtin, ku ky i fundit humbi jetën në rrethana të paqarta.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Policor ka marrë në pyetje rreth 10 efektivë.
Gazetari Igli Çelmeta tha për “BalkanWeb” se nga dëshmitë e siguruara, thuhet se efektivët në asnjë moment nuk kanë parë që 32-vjeçari të gëlltiste lëndë narkotike.
Dëshmitë:
“Rreth orës 23:07 bashkë me dy kolegët ishim në patrullim me makinë në rrugën “Riza Çuka” dhe në një moment konstatuam një të ri, i cili po ecte dhe kreu disa veprime të dyshimta. Në bazë të kësaj i kërkova verifikim. I kërkova mjet identifikimi, por ai nuk kishte. Më pas e pyeta nëse kishte sende të kundërligjshme me vete dhe më pas sa dola nga automjeti, i riu u largua me vrap. Pasi e ndoqa pas 2 minutash arrita ta ndaloj përballë një marketi. Pasi e ndalova, si unë ashtu edhe i riu u rrëzuam përtokë. E ndalova para marketi dhe po prisja edhe kolegët dhe në këtë moment u afruan edhe ata. I riu po qëndronte shtrirë dhe nuk po ngrihej. E ngritëm në këmbë dhe kërkuam ndihmën e patrullave.
E ulëm në trotuar dhe pamë që i riu kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë kontaktova me drejtorinë vendore dhe kërkova një autoambulancë dhe që i riu të ndjehej më mirë e futëm në makinë, jo në makinën që kisha në shërbim, por në makinën tjetër. Filloi të ndihej më mirë dhe i thamë të qetësohej, ndërkohë që aty erdhën dy patrulla . Në këtë moment kolegu tjetër i vendosi prangat dhe më pas u kthyem për të kontrolluar rrugën nëse kishte hedhur apo jo sende të kundërligjshme, por nuk gjetëm, kurse patrulla tjetër e dërgoi të riun në komisariat.”, thuhet në një nga dëshmitë.
Më pas vijon dëshmia e efektivit tjetër që thotë: “I riu fërkonte gjoksin dhe ulte kokën poshtë. Kur arritëm në komisariat i riu u kap te sedilja e makinës dhe nuk donte që të dilte, më pas e nxorëm nga makina me vështirësi dhe sapo doli prej aty filloi të dridhej, të shtrëngonte dhëmbët dhe bënte lëvizje të pakontrolluara. Menjëherë tentuam t’i jepnim ndihmë duke u munduar t’i hapnim gojën dhe i mbajtëm kokën mbrapa që të mos godiste pllakat, pasi po bënte lëvizje të pakontrolluara, i vendosëm një shkop hekuri në dorë pasi menduam për shenja epilepsie. Kolegët e mi njoftuan autoambulancën dhe duke parë gjendjen e tij, e futëm në automjet policie dhe e dërguam në spitalin e traumës pasi ambulanca po vonohej”.
Nga dëshmia e efektivëve disa momente kyçe:
-Efektivi deklaron se i riu filloi të ndjehej keq dhe që ta ndihmonin e futën makinë për të qëndruar ulur. Deklaratë kontradiktore me AMP që tha se i riu u ndje keq në komisariat.
-Në komisariat u dërgua nga patrulla tjetër dhe jo nga patrulla që e ndaloi.
-Në dëshmi efektivët thonë që ambulanca u vonua dhe prandaj e dërguan vetë në spital, ndërsa burime për News24 thonë që ambulanca shkoi në komisariatin nr.3