Në qytetin Malmö të Suedisë, pas dy vitesh pauzë për shkak të pandemisë, në praninë e shumë qytetarëve shqiptarë e suedezë, nën organizimin e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, u mbajt Festivali i XVIII-të i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë.
Në fjalën hyrëse të pranishmit në këtë Festival i përshëndetën, Sekretari organizativ i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, Z. Ahmet Bella dhe Kryebashkiakja e Komunës së Malmös, Znj. Carina Nilsson. Ajo u ndal te kontributi dhe integrimi i komunitetit shqiptar në Suedi, përkatësisht në Komunën e Malmös, si dhe foli për historikun e ndërtesës së Komunës dhe për fotografitë dhe pikturat të cilat ishin në sallë.
Prezantimin e poetëve dhe krijuesve muzikor të cilët konkuruan në këtë Festival, e bënë Qerim dhe Hanife Kryeziu.
Ekzekutimin në piano të veprave muzikore në këtë festival e bëri Pianistja e mirënjohur nga Kopenhagen Vigjilencë Islami.
Pjesëmarrës si konkurrues dhe mysafirë në këtë festival ishin bashkatdhetarët nga mërgata dhe trojet tona Shqiptare.
Në pjesën e dytë të festivalit, pas një pauze prej 20 minutash, organizatorët dhanë një darkë solemne për të gjithë pjesëmarrësit.
Më pas juria shpalli fituesit:
Shpërblimet për poezi:
Çmimi “Gani Xhafolli” iu nda, Sadije Aliti për poezinë “Çobanesha”.
Çmimi i parë e fitoi Sala Jashari, me poezinë e saj “Papritmas”.
Çmimi i dytë iu nda dy poetëve, Shpend Rukiqi dhe Imri Demisari.
Çmimin e tretë për poezi e fituan, Qerim Raci dhe Zyrafete Kryeziu-Manaj.
Shpërblimet për vepra më të mira muzikore:
Çmimin e parë e fitoi kompozitori, Ahmet Bella me krijimin e tij ” Ti moj Arberi”, interpretuar ne mënyrë dinjitoze nga Maria Herling.
Çmimi i dytë iu nda kompozitorit nga Kosova, Sami Piraj, me kompozimin e tij “Nostalgji “, kurse çmimin e tretë juria ja akordoi kompozitorit Gjon Gjevelekaj për krijimin “Bilibi në fluturim”.
Në pjesën përfundimtare programi vazhdoj me këngë e valle në shoqëri të grupit të Agron Miftarit.