Lazio ka mposhtur në transfertë Fiorentinën me rezultatin e thellë 4-0. Të besuarit e Maurizio Sarrit kanë dominuar përgjatë gjithë kohës takimin dhe regjistrojnë kështu fitoren e katërt radhazi në këtë start sezoni mjaft të mirë për kryeqytetasit.
Lazio hidhet menjëherë në sulm në minutat e para dhe fillon të rrezikojë portën e Fiorentinës. Goli i parë i takimit vjen pas 11 minutash lojë. Është Matias Vecino që gjen rrugën e rrjetës duke prishur edhe ekuilibrat e këtij takimi.
Ekipi i Sarrit nuk mjaftohet me kaq dhe vazhdon të luftojë për të dyfishuar rezultatin. Këtë gjë e arrin në minutën e 25-të me anë të Zaçagni. Me këtë rezultat mbyllet edhe pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë Lazio e nis aty ku e ka lënë.
Nga ana tjetër provon edhe Fiorentina, por nuk ka forcën e duhur për të reaguar. Lazio gjen golin e sigurisë në fundin e takimit me anë të Luis Albertos. Ndërkohë që për të vulosur rezultatin final të takimit mendon Ciro Immobile që plotëson edhe pokerin në këtë ndeshje.