MENU
klinika

7 kontrata të reja...

Qeveria, nuk ndal me pagesat për inceneratorët

21.10.2022 - 14:29

Në buxhetin për vitin e ardhshëm janë parashikuar 13.5 miliardë lekë ose rreth 130 milionë USD të cilat do të shkojnë për kompanitë koncesionare.

Por, duket se kriza dhe efektet që ka prodhuar nuk kanë ndaluar qeverinë që të vazhdojë të zgjidh dorën në shpenzime duke firmosur kontrata të reja në vlerën e miliona dollarëve. Janë jo pak, por 7 kontrata të reja me vlerë rreth 1 miliard lekë, të cilat do të rëndojnë xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Dhe veç kësaj, do të vijojë pagesat për inceneratorin e Tiranës. Vitin që vjen në llogari të kompanisë do të shkojnë rreth 1.3 miliardë lekë ose rreth 13 milionë dollarë.

KONCESIONET
“Për vitin 2023, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2022, është rreth 27.2 miliardë lekë. Pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën rreth 13.5 miliardë lekë”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2023. Ndërkohë, kontrata që do të firmosen rishtazi do të kenë një kosto rreth 1 miliardë dollarë.

Konkretisht Kontrata koncesionare për ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publik do ti kushtojë taksapaguesve rreth 2 milionë dollarë. Me vlerë gati 50 milionë dollarë janë dy kontrata të tjera për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në bashkinë e Tiranës.

Për projektimin, ndërtimin operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Thumanë vlera e kontratës do të jetë rreth 53 milionë dollarë, ndërsa për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit të Tiranës fondi limit do të jetë 43 milionë dollarë.

Koston më të lartë do ta kanë ndërtimi i dy akseve të reja rrugore. Bëhet fjalë për segmentin rrugor Kashar-Lekaj që do të kushtojë rreth 520 milionë dollarë, si edhe segmentin tjetër rrugor Lekaj-Fier me kosto të planifikuar rreth 360 milionë dollarë.


BUXHETI
Ministria e Financave ka zbardhur një ditë më parë edhe buxhetin për vitin që vjen. Rikthimi i basteve sportive nga 1 janari, rritja e mëtejshme e çmimeve, por edhe taksat speciale do të rrisin të ardhurat në buxhet. Referuar dokumentit të qeverisë nga rihapja e basteve, pritet të arkëtohen 2 miliardë lekë ose rreth 20 milionë dollarë.

Ndërkohë, peshë në mbushjen e arkës do të ketë edhe rritja e mëtejshme e çmimeve. Kështu, rritja e normës së inflacionit pritet të sjellë të ardhura shtesë në buxhet në vlerën e 5.7 miliardë lekëve ose rreth 57 milionë dollarë. Të ardhurat nga paketa fiskale llogariten në vlerën e 4.5 miliardë lekëve ose rreth 45 milionë dollar. Ndërsa nga taksimi special që do të rëndojë mbi prodhuesit e energjisë elektrike që e kanë eksportuar atë jashtë vendit, fitimi do të jetë rreth 80 milionë dollarë. Sipas projektbuxhetit 2023, të publikua nga Ministria e Financave një ditë më parë që institucionet që do të ketë rritjen më të madhe të fondeve në dispozicion janë Ministria e Mbrojtjes me 7.6 miliardë leke, si dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë me 7.3 miliardë lekë.

Me 5 miliardë lekë më tepër do të rritet edhe programi i qeverisjes digjitale. Shtesë fondi do të ketë edhe Ministria e Brendshme, Financave, Ministria e Bujqësisë, Arsimit dhe dikasteri i Shëndetësisë. Nga ana tjetër, do të tkurret fondi për Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Kulturës dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Parashikimi për rritjen ekonomike!

Projektbuxheti 2023, në fokus kriza energjetike