MENU
klinika

Kriza energjetike dhe zgjedhjet vendore

Rama nga Berlini: Javën tjetër, dialog me bashkitë!

15.10.2022 - 14:22

Javën e ardhshme kryeministri Edi Rama do të nisë dialogun me të gjitha bashkitë e Shqipërisë për të diskutuar mbi temat më të rëndësishme aktuale që prekin qytetarët. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama shkruan se në takime do të flitet për çështje të ndryshme, nga përballimi i inflacionit të luftës, te kriza energjetike dhe buxheti 2023. Një objekt tjetër diskutimesh do të jetë edhe ecuria e qeverisjes vendore përballë kundërshtarëve opozitarë që i cilëson ‘e djathta e rublave’ pas dosjes së lobimit rus të PD.

‘Pas një kongresi frymëzues në Berlin, kthehemi në Tiranë për përgatitjet e fundit të dialogut që do të nisim javën tjetër në bashkitë e Shqipërisë! Të bashkuar jo të ndarë; për përballjen me inflacionin e luftës, mbrojtjen e familjeve e bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë, buxhetin e ri 2023 dhe mburojën sociale të vitit të ardhshëm, për të djathtën e rublave medoemos, si edhe për ecurinë e qeverisjes vendore së bashku me ambiciet e mandatit të ri për bashkitë.’- u shpreh Rama.

Kriza energjetike ishte në fokus të fjalës të mbajtur nga kryeministri Edi Rama në Berlin. Nga Kongresi i Partive Socialiste Europiane, Rama kërkoi nga Bashkimi Europian që të mbështesë Shqipërinë në krizën energjetike dhe të mos përsërisë të njëjtën situatë si me rastin e vaksinave anti-COVID në kohën e pandemisë. Në përfundim, kreu i qeverisë solli edhe njëherë në vëmendje sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, ku tha se u synua shkatërrimi i plotë i sistemi online shtetëror.

Me datën 14 dhe 15 tetor, u mbajt në Berlin, Kongresi i radhës i Partive Europiane Socialiste. E ftuar në këtë Kongres nga Shqipëria është Partia Socialiste, ndërkohë që nuk është ftuar Partia e Lirisë e Ilir Metës. Aleanca me Sali Berishën, i ka mbyllur një derë Ilir Metës në arenën ndërkombëtare. Për shkak të koalicionit dhe partneritetit me Sali Berishën, një njeri i shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Partia e Socialistëve Evropiane (PES) bashkon Partitë Socialiste, Socialdemokrate dhe Partitë e Punës të BE-së, bashkë me vendet fqinje të Unionit, si Britania e Madhe apo Norvegjia por të ftuar janë edhe partitë e majta.