MENU
klinika

“Shtëpia e barit” në Shkodër

Roli i të prangosurve në veprimtarinë kriminale

14.10.2022 - 09:53

Një “shtëpi bari” me një numër të konsiderueshëm personash të punësuar u godit nga Policia. Operacioni u zhvillua në fshatin Bardhaj të Shkodrës, duke çuar në pranga plot 16 persona, dhjetë prej të cilëve “kopshtarë” në banesën ku zhvillohej veprimtaria e jashtëligjshme.

ARRESTOHET FAMILJA
Pesë anëtarë të familjes Gjoni përfunduan në prangat e Policisë, përfshirë edhe dy gra, kryefamiljaren dhe nusen e njërit prej djemve, ndërsa një djalë tjetër është shpallur në kërkim. Aktiviteti i jashtëligjshëm zhvillohej në banesën e shtetasit Pjetër Gjoni, 31 vjeç.

Operacioni i koduar “Bleran”, i zhvilluar në fshatin Bardhaj, bëri të mundur edhe sekuestrimin e një sasie prej 86 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa në formë bohçeje të tharë.

Ka qenë vetë kreu i Policisë së Shkodrës, Hamdi Fjore, ai që dha detajet e operacionit, duke bërë me dije se pas ndërhyrjes së Policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, janë prangosur shtetasit: Zef Gjoni, 53 vjeç dhe Antoneta Gjoni, 55 vjeçe, së bashku me 3 djemtë e tyre: Elvis Gjoni, 24 vjeç, Roland Gioni, 22 vjeç, Pjeter Gjoni, 31 vjeç, dhe bashkëshortja e këtij të fundit, Flora Gjoni 29 vjeçe. Në të njëjtën kohë, është shpallur në kërkim djali tjetër i bashkëshortëve, 31-vjeçari Fabion Gjoni.

“Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, është organizuar dhe finalizuar faza e katërt e megaoperacionit, e zhvilluar në lagjen ‘Bleran’ të fshatit Bardhaj, njësia administrative Rrethina Shkodër, ku u arrestuan në flagrancë 16 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Pjetër Gjoni, 31 vjeç, në ambientet e jashtme dhe të brendshme të kësaj banese, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde narkotike në proces tharjeje dhe lëndë narkotike të thatë, me peshë totale 86 kilogramë kanabis”, tha Policia.

Në krye të veprimtarisë kriminale ishte pronari i banesës, 31-vjeçari Pjetër Gjoni.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Pjetër Gjoni grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje. Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprat penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’ dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’”, sqaroi Policia.

PUNËTORET E ARRESTUARA
Shumë gra e vajza kishin udhëtuar nga Tirana e zona e Krujës për të punuar në “shtëpinë e barit” në fshatin Bardhaj të Shkodrës. Plot 10 “kopshtare” të mirëpaguara përfunduan në prangat e Policisë për rolin e tyre dytësor në kultivimin e lëndëve narkotike.

Ato u kapën në flagrancë brenda dhe jashtë banesës, duke u shërbyer bimëve të mbjella dhe atyre të thara.

Në pranga përfunduan: Drita Cuni, 45 vjeçe, banuese në Kamzë; Dorentina Hoxha, 34 vjeçe, banuese në Mamurras; Franga Gini, 52 vjeçe, banuese në Kamzë, Tiranë; Hurme Bafti, 47 vjeçe, banuese në Kamzë, Tiranë; Mimoza Hoti, 51 vjeçe banues në Kombinat, Tiranë; Elida Doku 43 vjeçe banuese në Fushë-Krujë; Blerina Meta, 37 vjeçe banues në fshatin Larushk, Fushë-Krujë; Valbona Haka, 45 vjeçe banuese në fshatin Nikel, Fushë-Krujë dhe Fatime Baftaj 53 vjeçe, banuese në Kamzë.

Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 86 kilogramë kanabis, dy ventilatorë që shërbenin për tharjen e bimëve narkotike, 3 automjete dhe 15 aparate celulare.

U arrestua për herë të tretë, kush është 42-vjeçarja që rekrutonte kopshtaret

Krahas “shefit” të grupit, 31-vjeçarit Pjetër Gjoni, një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kriminale kishte edhe 42-vjeçarja Danjela Hasani, banuese në zonën e Kombinatit në Tiranë.

42-vjeçarja merrej me rekrutimet e punëtoreve nga Tirana, Kamza dhe zona e Krujës për të punuar në shtëpinë e barit, e ngritur në fshatin Bardhaj të Shkodrës.

“Njëra prej këtyre shtetaseve, konkretisht shtetasja Danjela Hasanaj, 42 vjeçe, banuese në Kombinat, Tiranë, e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale, kishte rolin e organizatores. Ajo gjente punëtore, kryesisht nga Tirana dhe Kruja, për të përpunuar kanabisin”, sqaroi kreu i Policisë së Shkodrës.

Danjela Hasani ishte arrestuar edhe dy herë të tjera për të njëjtat arsye.

Ajo u prangos në muajin qershor në kuadër të operacionit “Vallas”, kreu i të cilit u arrestua pak ditë më parë. Në atë kohë, u sekuestruan 246 kg kanabis, ndërsa deri më tani kanë përfunduar në pranga 13 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Në atë kohë, kishte dyshime të forta se krahas zonave të hapura në Malësi të Madhe, bima e kanabisit kultivohej edhe në ambiente të brendshme. Policia e Shkodrës tha se operacioni i zhvilluar dy ditë më parë, është në kuadër të megaoperacionit të koduar “Qarku”, ku deri më tani janë zhvilluar katër faza në harkun e një jave.

Si rezultat janë sekuestruar gjithsej 191 kilogramë kanabis, 456 bimë kanabis si dhe janë arrestuar në flagrancë 24 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Operacioni është shtrirë në Malësi të Madhe, në Vaun e Dejës, në Pukë si dhe në fshatrat e Shkodrës. Bimët kultivoheshin në miniparcela në zona të pyllëzuara, krahas ambienteve të mbyllura si në rastin e fundit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si u godit grupi kriminal që kultivonte kanabis

Megaoperacioni që vuri në pranga 16 persona në Shkodër