MENU
klinika

"Më doli para me dy gjuajtës"

Rrëfimi i Dumanit: Talo Çela më bëri pritë në Elbasan

01.10.2022 - 15:09

Bashkëpuntori i SPAK, Nuredin Dumani, ka treguar momentin kur është plagosur në zonën e Papërit në Elbasan, më 29 mars 2022. ‘Oranews’ mëson se Dumani ka treguar se i vetmi njeri që ka identifikuar në këtë ngjarje është Talo Çela. Sipas tij, Çela ka organizuar pritën në Papër pasi ka arritur ta shikojë fytyrën e Talos teksa ndodhej në timonin e një benzi me targa greke, nga është qëlluar me dy armë automatike.

Dumani ka treguar se goditja e tij, është kryer vetëm pak minuta pasi ishte rrethuar nga tre makina, ku tek njëra prej tyre ka dorëzuar një automatik tip “Kallashnikov”.

RRËFIMI I DUMANIT:

 “… Teksa qëndroja në rrugën kur ikën në Cërrik, më janë afruar tre makina të tipit “Audi”, “Benz CLS” dhe një “BMë”. Nga makina “BMë”,ka zbritur një person dhe më është afruar drejt vendit, ku unë po qëndroja i parkuar. Këtij personi i kam dhënë një automatik kallashnikov, të cilin ja kisha sjellë si suvenir.

Të treja makinat më shikonin mua dhe aty kam ndjerë një parandjenjë të keqe. Unë fillova të lëviz me mjet, duke hyrë tek kryqëzimi i Papërit, në rrugën e që të çon në Cërrik. Pasi pashë që të treja makinat ikën në drejtim të Cërrikut, lëviza direkt dhe unë. Por papritur më zuri rrugën një Benz me targa greke i vjetër “C Class” pa xhama të zinj….

…Nuk jam afruar fare në drejtim të Benzit, pasi e kuptova që nuk ishte mirë puna. Personat që ishin në makinë më bënë dhe foto me telefon dhe ikën. Sapo fillova të lëviz, për të ikur tek kthesa e Papërit dhe të largohesha në Fier, më ka dalë para një kamion dhe unë duhet të qëndroja STOP. Unë po shikoja gjithmonë djathtas, pasi doja të shikoja nësë kishte makina të tjera aty në parkim si dhe nëse ishin makinat e tjera që po më vezhgonin. Por e humba vëmendjen nga krahu i majtë. Në sekondë dëgjova xhamat dhe breshëri automatiku. Kam kthyer kokën instiktivisht. Pashë që ndaluan krismat. Kur ktheva kokën, pashë një makinë ngjyrë vishnjë “E Class”, nuk e pashë targën dhe pas shoferit ishin 2 gjuajtës që kishin kallashnikov në dorë, të cilët nuk kishin zbritur por kishin dritare të hapur. Nuk i identifikova dot ata që kishin kallashnikovin, se kishin maskë. Por identifikova shumë mirë shoferin, ishte fiks ai që po kërkoja unë, Talo Çela. Duke e njohur strukturën e tij dhe mënyrën se si rrinte, jam i bindur që ishte ai.

Pastaj filluan breshëri, jam shtyrë nga krahu i djathtë dhe barkas kam prerë timonin për Peqin. Jam përplas 2 herë, ato prap me vinin mbrapa në mënyrë të ç’rregullt. Makinës, ju çan gomat dhe i ikte drejtimi sa majtas dhe djathtas. Nga vendi i ngjarjes deri ku kam qëndruar është një distancë 150 deri në 200 metra. Kapa kallashnikovin dhe zbrita, pasi e mbusha jam pozicionuar për të gjuajtur me armë gjuajtësit. Ata e panë këtë gjë, por nuk u afruan dhe unë s’kam qëlluar…”-ka rrëfyer Dumani.

“Ora News” mëson përmes dokumenteve zyrtare sesi Talo dhe Nuredin Dumani, ndiqnin lëvizjet e njëri-tjetrit, me shpresën e goditjes me armë. Përmes informacioneve të siguruara në policinë e Elbasanit, Dumani kishte mundur ti afrohej bazës së Talo Çelës. Por teksa ai është afruar të vëzhgonte shtëpinë ku fshihej Çela, aty ka ndjerë një zhurmë të ngjashme me shulin e automatikut dhe është larguar. Ndërsa vetëm pak ditë pas vizitës së Dumanit, në bazën ku fshihej Talo Çela në Fushë-Mbret, Dumani është sulmuar me armë pikërisht nga njerëzit e Talo Çelës.

Dumani dhe miku i tij, Henrik Hoxha, pasi u arrestuan në Fier, kanë folur për drejtësinë duke zbërdhyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Pas rrëfimit të tij, u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim, e derimë tani asnjë nuk është kapur. Mendohet se të paktën 12 ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate të parealizuara janë zbardhur nga dëshmia e tij para prokurorëve të SPAK. Ndërsa së fundmi, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, ne Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Krimet më të shumta Nuredin Dumani ka rrëfyer se i ka bërë me Talo Çelën, por edhe me Hoxhajn, i cili u arrestua në të njëjtën natë më të. Por për shumë ngjarje bën fajtor Talo Çelën, me të cilin u zu për një makinë të marrë për kryerjen e një vrasje, e për hakmarrje Dumani pranoi se i kishte vrarë të vëllanë, Bujar Çelën. Megjithatë zanafilla e shumicës prej ngjarjeve kriminale në vend, vjen pas grabitjes në aeroportin e Rinasit, për ndarjen e 4.3 milionë euro.