MENU
klinika

Sa vite burg mund t’i ulen?

Saimir Tahiri kërkon njohjen e shërbimit të provës

02.10.2022 - 17:34

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkon që t’i njihet dënimi me shërbim prove, që i është dhënë fillimisht nga asokohe Gjykata e Krimeve të Rënda, para se të ngrihej SPAK e GJKKO. Ndërkohë që është duke vuajtur dënimin me 3.5 vite burg në burgun e Lushnjes, në fshatin Kosovë, Tahiri i është drejtuar me kërkesë gjykatës së Elbasanit, për t’i njohur edhe shërbimin e provës. Shkresa është dërguar në Elbasan, pasi Gjykata e Lushnjes është në juridiksionin e saj sipas hartës së re të gjyqësorit.

Pas marrjes së kërkesës, Gjykata e Elbasanit, ka vendosur edhe datën për shqyrtimin e kësaj kërkese, ku është vendosur më datë 10 tetor, ndërsa shorti për shqyrtimin e çështjes, caktoi gjyqtarin Elis Dine. Nëse kërkesa e tij pranohet ai përfiton ulje për të paktën 1.6 vite burg.

Tahiri prej 8 muajsh është mbyllur në qeli, ku fillimisht për të u vendos që ta vuajë dënimin në burgun e Fierit, por për shkak të përplasjeve me drejtorin e institucionit dhe largësisë nga Tirana, ish-ministri kërkoi lëvizje. 3 muaj më parë ai u transferua në Kosovë të Lushnjës.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shkoi në qeli më 4 shkurt. Aktualisht, në Gjykatën e Lartë pret shqyrtimin ankimi i bërë nga ish-ministrit që kërkon pafajësi dhe nga SPAK-u, që kërkon nga 12 vjet burg për Tahirin dhe ish-shefin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela për akuzën e “Trafikut të narkotikëve” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.