Muaji shtator u mbyll me reshje të bollshme dhe me temperatura të larta ku mesdita e fundit e muajit ka shënuar 29,6°C në bregun jugperëndimor.
Një parametër mjaft problematik për shumë ditë të shtatorit ka qenë edhe shpejtësia e lartë që era ka shënuar kryesisht në brigjet detare dhe mjaft shpeshta edhe në zonat e ultësirës perëndimore duke shkaktuar dallgëzim të lartë por edhe thyerje pemësh në disa zona urbane.
Vlen të theksohet se, ky shtator, ndryshe nga të paktën 3-4 vitet e mëparshme, ka sjellë në vend sasi shumë të larta të reshjeve duke përmirësuar dukshëm situatën hidrike; në pellgjet ujëmbledhëse të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës reshjet e këtij muaji vlerësohen sa nga 3,5 në 4-fishin e normave të reshjeve mujore.
Në të gjitha ditët me reshje, stuhitë me rrebeshe shiu u fokusuan në zonat veriore ku në 24 orë, sasitë e reshjeve kanë variuar nga 180 në 300 mm nga veriperëndimi dhe skajin verior të Shqipërisë.