MENU
klinika

Tragjedia në Klos

Si nisi historia nga lidhja intime te shantazhi me foto

14.10.2022 - 13:59

Ajo që nisi si histori dashurie midis dy adoleshentëve, përfundoi në tragjedi. Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Klos, me dy të vrarë e dy të plagosur, të tjera detaje dalin në dritë mbi sherrin midis tri familjeve, që zë fill te ndarja e dy adoleshentëve dhe akuzave e kundërakuzave për shantazh.

KONFLIKTI
“Dikush” nga Anglia e largët i ka dërguar një foto Fiqiri Mjeshtrit, foto e cila e ka shqetësuar tej mase. Megjithëse xhaxhai i autorit të krimit, Besnik Mjeshtri, nuk e ka pohuar për oficerët e Policisë Gjyqësore këtë fakt, ai gjatë një interviste për mediat shprehet se vajza e vëllait ishte shantazhuar me foto provokuese.

Hetues të ngjarjes makabre thanë se “një kushëri i Fiqiriut i ka dërguar një foto nga Londra duke i thënë; “bëj kujdes me vajzën se më ka ardhur kjo foto e saj”. “Nga një numër anonim i ka ardhur një mesazh vëllait, me anë të të cilit thuhej se goca jote ka qenë e tronditur për disa ditë pasi është ngacmuar nga dy kushërinjtë”, tha dje Besnik Mjeshtri pas lirimit nga qelitë e paraburgimit të Komisariatit të Burrelit. Mësohet se Fiqiriu fillimisht e ka ndarë shqetësimin me dy vëllezërit e tij, duke u pohuar atyre se ishte në hall të madh me vajzën dhe se donte të takohej me prindërit e dy adoleshentëve që ajo bisedonte me telefon.

TAKIMI PARA NGJARJES SË RËNDË
Një natë para ngjarjes, Fiqiri Mjeshtri është takuar me familjen Shira. Ilir dhe Kenado Shira janë ulur në tavolinë me mesazhe të printuara, madje sipas xhaxhait edhe me foto nudo të mbesës së tij, që vërtetonte se vajza dhe Kenado kishin folur me njëri-tjetrin për të paktën 1 vit.

Për këtë arsye, familja Mjeshtri i ka kërkuar familjes Shira që ta merrnin për nuse vajzën, e thënë ndryshe të lidhnin miqësi me njëri-tjetrin. Kenado Shira i ka deklaruar babait të vajzës se nuk do ta merrte vajzën e tij për nuse duke u shprehur se ajo ka marrëdhënie intime me Renado Hasulën. Ditën e ngjarjes janë ritakuar dy baballarët, dy të rinjtë dhe tre vëllezërit Mjeshtri në lokalin “Dibra”.

Debati është rihapur, por tani më i ashpër. Sipas Besnikut, vëllai është acaruar keq. “Goca ime paska qenë e dalme komplet”, ka thënë Fiqiriu duke dalë nga lokali.

Ka rrëmbyer armën dhe ka qëlluar mbi katër personat, Liri e Kenado Shira (babë e bir) dhe Englantin e Renado Hasula (babë e bir). Duke vijuar rrëfimin e tij, Besnik Mjeshtri tha se: “Morëm Egli Hasullën me djalë, u ulëm në tavolinë, diskutuan dy 17-vjeçarët Renado me Kenadin, dhe diskutuam, kaq mesazhe i ke çuar ti, kaq unë, çuni i Ilirit i tha çunit të Eglit, ‘a e mban mend ca më ke thënë mua’, ‘kur kanë ikur gocat në plazh ka qenë parukeria bosh, ka qenë S*** vetëm dhe t’i ke shkuar dhe ke takuar S*** dhe ça keni bërë’. Babai i gocës ishte aty, tha ‘ça u bë goca ime që paska bërë gjithë këto’”. Familja Shira dhe Hasula refuzuan që të bëjnë mik Fiqiriun. “Goca ime paska qenë e dalme komplet”, mësohet të ketë thënë ai sipas vëllait të autorit.

Besniku tregon momentet e negocimit më vëllain për t’u dorëzuar dhe telefonatën me vëllain tjetër, Fatmirit, të cilit i ka lënë amanet fëmijët.

Nga lidhja intime te shantazhi me foto, çfarë thotë adoleshentja

Kenado Shira kishte një lidhje me vajzën e Fiqiri Mjeshtrit gjatë periudhës kur të rinjtë ishin në shkollë. Gjatë kësaj lidhjeje, ka rezultuar se adoleshenti i ka bërë shoqes së shkollës edhe një foto intime, e cila ka përkeqësuar marrëdhëniet jo vetëm midis tyre, por edhe të vetë familjeve.

Tre muaj më parë, lidhja intime është diskutuar mes dy familjeve dhe Kenado është larguar nga Klosi për të ndjekur një shkollë profesionale, e cila është bërë shkak edhe për ndarjen mes të rinjve. Gjatë kësaj periudhe, 17-vjeçari dyshohet se foton provokuese ia ka dërguar edhe kushëririt të tij, Renado Hasula, i cili e ka përdorur atë për të shantazhuar adoleshenten me qëllim që ajo të kryente marrëdhënie seksuale me të. Është pyetur rreth ngjarjes së rëndë edhe vajza e Fiqiri Mjeshtrit.

Oficerë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat u shprehën se vajza ishte e traumatizuar pas vrasjes së dy personave dhe vetëvrasjes së babait. Në prani të psikologes së institucionit, vajza që kishte lidhje me dy kushërinjtë Shira-Hasula ka deklaruar se “Instagram”-i i saj ishte “vjedhur” nga Shira dhe prej andej janë marrë disa foto që ajo kishte bërë në plazh.

“Disa herë më shkruanin se kanë foto të miat dhe se do t’i publikonin ato. Në fakt, nuk m’i kanë treguar asnjëherë për çfarë fotosh bëhet fjalë”, janë pohimet e vajzës në Prokurorinë e Matit. Gjithashtu, hetuesit kanë sekuestruar telefonat e viktimave, të plagosurve dhe vajzës që u bë mollë sherri, por sipas vëzhgimeve paraprake, nuk janë gjetur foto nudo të adoleshentes.

Vajza është lënë e lirë nga organi i akuzës, ndërkohë ajo dje i dha lamtumirën babait të vetëvrarë për të mbrojtur dinjitetin e vajzës dhe familjes. Bashkia Klos nuk dërgoi dje një psikologe për të qenë pranë vajzës së tronditur rëndë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga mesazhet tek takimi për t’u “sqaruar”!

Dinamika brenda lokalit ku u vranë 3 persona