MENU
klinika

Në prag të vitit të ri akademik

Subvencionim për konviktet dhe abone falas/ Veliaj jep lajmin e madh për studentët

10.10.2022 - 17:08

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka dhënë lajmin e mirë për studentët e kryeqytetit.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës ai tha se do ketë disa lehtësira, duke nisur nga abonetë falas.

Veliaj tha se Bashkia do të hartojë një paketë financiare mbështetëse e cila do t’i paraqitet këshillit mbledhjen e radhës.

Veliaj tha se propozimi është një lajm i shumëpritur nga studentët dhe që vjen në vitin kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

“Propozimi ynë është të subvencionojmë edhe një pjesë të faturës së konvikteve. Vërtet studentët nuk janë rezidentë të Tiranës, por 9 nga 10 studentë qëndrojnë në Tiranë pasi mbarojnë universitetin dhe duke qenë se janë rritur kostot e konvikteve, do na duhet të marrim një vendim të rëndësishëm, të subvencionojmë të paktën gjysmën e faturës së konvikteve ose rreth gjysmën, për t’u siguruar që studentët të mos impaktohen nga kjo situatë.

Gjithashtu, kemi marrë edhe disa propozime të tjera, mes të cilave aboneja falas për studentët, që gjatë kohës së krizës ata të mos preken, sidomos studentët që vijnë në Tiranë, ku kostoja është detyrimisht më e lartë se e një qyteti të provincës. Jemi duke bërë llogaritjet dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të sjellim edhe disa paketa financiare që adresojnë këto situata”, u shpreh Veliaj.