MENU
klinika

Sekuestrohet një sasi kanabisi

Të shpallur në kërkim, arrestohen dy narkotrafikantët në Vlorë

31.10.2022 - 12:29

Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.

Në pranga kanë përfunduar një 22-vjeçar me inicialet R. V., 22 vjeç, banues në Vlorë dhe A. Ç., 47 vjeç, banues në fshatin Mifol, si dhe është shpallur në kërkim në kërkim shtetasi K. A., 47 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kultivuar kanabis në zonën e pyllëzuar të Mifolit gjatë vitit 2021.

Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit me inicialet A.Ç., policia sekuestroi një sasi kanabisi prej 13 kg.

NJOFTIMI I PLOTË

DVP Vlorë/Finalizohet, pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “River”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë.

Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, të dyshuar si bashkëpunëtorë në kultivimin e 213 bimëve kanabis, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar nga Policia, gjatë vitit 2021.

Sekuestrohen 13 kilogramë kanabis.

Në kuadër të procedimit penal të nisur nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, bazuar në të dhëna të siguruara nga inteligjenca informative, për kultivim të bimëve narkotike në zonën e fshatit Mifol, ka vijuar hetimi proaktiv disamujor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “River”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u ndaluan shtetasit:

– R. V., 22 vjeç, banues në Vlorë dhe A. Ç., 47 vjeç, banues në fshatin Mifol, Vlorë, për të cilët, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. A., 47 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë disa muajve të vitit 2021, kanë kultivuar në zona të pyllëzuara të fshatit Mifol, Vlorë, 213 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies, nga shërbimet e Policisë, gjatë periudhës hetimore.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në një banesë në përdorim nga shtetasi A. Ç., në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar 13 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.