Tronditet bota e tenisit. Agjensia Ndërkombëtare për Integritetin e Tenisit, ka konfirmuar sot në mbrëmje se tenistja rumune Simona Halep, është pezulluar pa afat, pasi ka dalë pozitive me doping.
Kjo ka ndodhur gjatë grand slam të US Open, gjatë një testi antidoping rutinë. Tenistja është njoftuar për këtë ngjarje të pakëndshme. Mediat shtojnë se Halep i është gjetur një substancë e ndaluar pas analizës së testit A, ndërkohë që pritet të zhvillohet edhe testi B.
Halep, aktualisht është numri 9 në botë, ndërkohë që ka qenë edhe në majën e renditjes botërore. Substanca e ndaluar është roxadustat. Për momentin, Halep, fituese e Roland Garros (2018) dhe Wimbledon (2019), nuk mund të zbresë në fushë dhe për të, viti 2022 duket i mbyllur.
— Simona Halep (@Simona_Halep) October 21, 2022
Tenistja 31-vjecare rumune ka reaguar menjëherë pas daljes së lajmit për pozitivitetin e saj. “Nga sot, do të zhvilloj sfidën më të rëndësishme të karrierës time. Është një nga ngjarjet më tronditëse në jetën time. Sasia e ndaluar e gjetur është vërtet u ulët, ndërkohë që ideja për të mashtruar nuk më ka shkuar kurrë ndërmend, pasi është kundër vlerave të mia”, tha Halep.
“Jam konfuze dhe e lënduar nga sa ka ndodhur dhe jam e bindur se herët apo vonë e vërteta do të dalë në shesh. Unë do të luftoj deri në fund për të vërtetuar pafajësinë time, për historinë time, për dashurinë që kam për tenisin dhe për atë që kam bërë në këto 25 vite”, – tha Halep.