Dy të rinjtë nga Elbasani që janë bërë pjesë e një sage të përgjakshme që pllakosi qytetin e tyre në vitin 2020 kanë vijuar të përballen me Gjykatën.
Njëri prej tyre në pozitën e dëshmitarit të drejtësisë ka folur më herët dhe ka shpjeguar sërish gjithë mekanizmin e përfshirjes dhe kryerjes së njërës prej vrasjeve, ndërsa tjetri ka refuzuar të merret në pyetje nga prokurori.
Bëhet fjalë për Euglent Halilin, djalin që për të marrë paratë e një vrasjeje e mori përsipër atë dhe masakroi me thika shokun e tij, ndërkohë që në vrasjen tjetër ai është në rolin e vëzhguesit, por si person i kontraktuar nga i bashkëgjykuari tjetër Xhuliano Hoxha.
Duke iu referuar dy rasteve-vrasje, ku mbetën të vrarë Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj, në pozitën e dëshmitarëve të drejtësisë janë edhe dy protagonistët e një mori krimesh me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.
E nëse vrasjen e Ramazanit e organizoi Dumani dhe e kreu Hoxha me “nipin” e tij, Skerdi Tasi, gjithnjë sipas dëshmisë së dhënë prej tyre, vrasjen e Runajt, sërish e organizoi Dumani, por e morën përsipër për ta kryer dy të gjykuarit aktual Halili me Hoxhën.
Sipas të gjitha dëshmive, por edhe atyre pak hetimesh që ka kryer Prokuroria e Elbasanit në fillim dhe më pas SPAK-u, të dyja këto vrasje kanë emëruesin e përbashkët, Erion Alibej, i cili i dyshonte dy viktimat si bashkëpunëtorë në vrasjen e vëllait dhe xhaxhait të tij në atë që u konsiderua si “Masakra e Bradasheshit”.
SHQYRTIMI GJYQËSOR
Ditën e djeshme, vijoi gjyqi për Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin lidhur me dy vrasje të kryera në vitin 2020 në Elbasan, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. I penduari Euglen Halili përfundoi marrjen në pyetje me dy seanca, duke shpjeguar vrasjet dhe personat përfshirë.
Nga ana tjetër, Xhuliano Hoxha deklaroi se nuk dëshiron të merret në pyetje nga prokurori ndërkohë që në seancën e radhës u bë me dije se do të merret në pyetje Erjon Alibej. Hoxha dhe Halili akuzohen se janë përfshirë në 2 vrasje të bujshme, atë të Emiljano Ramazanit dhe të Regis Runajt të dyja të ndodhura në Elbasan.
Mbi Hoxhën dhe Halilin rëndojnë akuzat për vrasjen e Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan dhe të vrasjes së Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan.
Në të dy krimet, ata duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona, janë nën hetim për bashkëpunim si “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Rrëfimi i Halilit: Si e vrava shokun
“…unë dhe Xhuliani u shoqëruam nga afër me Regis Runajn sa ishte gjallë. Ne ishim në dijeni se Regis Runaj ishte një shpërndarës lëndësh narkotike, përveçse ishte dhe vetë konsumator i saj, siç ishte dhe Xhulian Hoxha dhe së bashku kryenim konsumimin e lëndës narkotike.
Regisi dhe shokët e tij e pinin afër varrezave të qytetit, kur nuk kishte shumë lëvizje njerëzish, ndriçimi ishte i pamjaftueshëm dhe zona në fjalë nuk monitorohej nga kamera. Unë dhe Xhuliano, gjatë shoqërimit me Regisin, vumë re se ai ishte i apasionuar pas motorëve dhe unë ia jepja motorin për ta ngarë.
Gjatë kësaj kohe të dy, si unë dhe Xhuliano, kemi parë se deri ku kishin fushëpamje kamerat rreth zonës së varrezave. Rasti erdhi pasditen e ngjarjes, ku rreth orës 18:00, unë dhe Xhuliani kemi shkuar në lokalin i Benit, ku rrinte zakonisht viktima Regis dhe pasi e takuam atë dhe shokët e tij, Egisel Llapushin dhe Kejdi Hazizollin, unë lëviza me motor me Regisin duke e ngarë ky i fundit.
Ndërsa, Xhuliani së bashku me dy personat e tjerë, shokë të Regisit, lëvizën me makinën e Xhulianit për te varrezat e qytetit, me qëllim për të pirë hashash. Pasi jemi takuar te varrezat, unë më pas i ka marrë makinën Xhulianit dhe ia kam çuar te magazina e të atit. Ndërsa në bagazhin e makinës, kam marrë thikën që Xhuliani ma kishte lënë aty dhe një xhiboks, duke u kthyer më pas te të tjerët.
Teksa qëndronim të gjithë së bashku dhe konsumonim hashash, Xhuliani ka komunikuar në telefon me personin e interesuar dhe më pas Xhuliani më ka thënë mua që puna duhej të kryhej atë natë, pasi ishte rast i mirë pas konsumimit të hashashit. Xhuliano, Egi dhe Kejdi janë kthyer në qytet në këmbë, ndërsa unë lëviza me motor me Regisin.
Motorin ia lashë ta drejtonte Regisi, ku në rrugën pas varrezave, i kam thënë Regisit që ta ulte pak shpejtësinë e motorit deri në ndalesë. Dhe sapo ka ulur shpejtësinë, menjëherë e kam qëlluar nga prapa në qafë dhe më pas në gjithë trupin, derisa Regisi nuk lëvizi më.
Nga këtu, me motor, kam shkuar në shtëpi, kam hequr rrobat që ishin bërë me gjak dhe bashkë me thikën, i kam futur në një qese për t‘i hedhur diku tjetër. I kam komunikuar në telefon Xhulianit për kryerjen e krimit dhe kam qëndruar derisa të vinte ai, ndërsa motorin e kam lënë pa e pastruar.
Erdhi Xhuliani bashkë me bashkëshorten dhe e morën me makinë në Krastë. Bëmë ca rrugë me makinë dhe Xhuliani më tha që të shkoja në darkën familjare, se vetë ai do të udhëtonte për në Vlorë. Xhuliani aty i ka telefonuar një taksisti që erdhi dhe më mori deri në Rrogozhinë, ndërsa qesen me rrobat e thikën i kam lënë në makinën e Xhulianit. Pas dy ditësh, që Xhuliani u kthye nga Vlora, ai më ka thënë se për këtë vrasje do merrnin shumë lekë…”.