MENU
klinika

Formula 1

Verstappen fiton dhe barazon rekordin, Red Bull kampion

23.10.2022 - 23:05

Piloti holandez Max Verstappen fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Amerikës në Formula 1, duke korrur suksesin e 13-të sezonal. Një triumf i vështirë i pilotit të Red Bull, në një garë me mjaft surpriza.

Në vendin e dytë u rendit britaniku Lewis Hamilton me Mercedes, ndërkohë që podiumi kompletohet me monogaskun Charles Leclerc (Ferrari). Hamilton shpresoi shumë të korrë fitoren e parë sezonale, por nuk ia doli dot mbanë.

Ai e kryesoi garën deri në xhiron e 50-të, kur u parakalua nga Verstappen. Një garë të mirë bëri edhe Leclerc, që u rendit i treti, ndërkohë që e nisi atë nga vendi i 12-të. Ndërsa ferraristi tjetër Carlos Sainz (e nisi garën nga “pole”), u tërhoq që pas kthesës së parë, pas një aksidenti që pati që në start.

Gara nisi mirë për Verstappen, që e komandoi atë deri në momentet që në pistë hyri dy herë radhazi makina e sigurisë (dy aksidente). Ai humbi kreun në momentin që po ndërronte gomat, kur mekanikët patën probleme.

Gjithsesi, ai arriti të rikuperojë, duke parakaluar si Leclerc ashtu dhe Hamilton. Në vendin e katërt u rendit meksikani Serio Perez me makinën tjetër Red Bull. Në “top-10” makinat e sotme u renditën edhe Russell, Norris, Alonso, Vettel, Magnusen e Tsunoda.

Fitorja e sotme është e 13-ta për Verstappen, që barazon rekordin e fitoreve në një sezon nga një pilot. Po kaq fitore kanë edhe Michael Schumacher e Sebastian Vettel, por në tri garat e mbetura ai mund ta thyejë atë. Për t’u theksuar që Red Bull fitoi matematikisht titullin kampion për konstruktorë në këtë garë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN