MENU
klinika

Analiza

Zgjedhja e Rishi Sunak: BE mund të marrë frymë lirshëm…

28.10.2022 - 08:30

Nga perspektiva evropiane, i vetmi lajm i mirë nga Londra erdhi të dielën kur Boris Johnson bëri të ditur se nuk do të kandidojë për udhëheqjen e partisë Konservatore.

“Pas dy ditësh të vështira duke marrë parasysh mundësinë e kthimit të tij, ky ishte një lehtësim i madh,” pranoi një zyrtar i lartë i BE-së.

Jo se Liz Truss do të mungojë. Por të përballeshe sërish me mashtrimet e Johnson-it ishte më shumë sesa mund të duronte Brukseli.

Më pas erdhi një shkak tjetër lehtësimi: shpallja e Rishi Sunak si kryeministër i ardhshëm. 

Në qarqet e BE-së, Sunak shihej si zëri i arsyes në qeverinë Johnson dhe më ngurrues për t’u përfshirë në një luftë tregtare me Brukselin. Kur shfaqet kaosi, ngushëllohesh ku të mundesh.

Për shumë evropianë, e vetmja surprizë e kaosit politik dhe ekonomik britanik të javëve të fundit është mungesa e debatit për shkakun e vërtetë të tij: askush i përfshirë nuk duket se fajëson Brexit-in.

FILE – Rishi Sunak meets supporters as he arrives to attend a Conservative Party leadership election hustings at the NEC, Birmingham, England, Tuesday, Aug. 23, 2022. Sunak ran for Britain’s top job and lost. Now he’s back with a second chance to become prime minister. (AP Photo/Rui Vieira, File)

Në anën tjetër të Kanalit, Brexit është elefanti në dhomë. Gjashtë vjet më vonë, pikëpamja mbizotëruese në BE është se ishte, siç e tha ish presidenti francez Nicolas Sarkozy javën e kaluar, “një lajthitje e madhe e përmasave historike”.

Brexit është bërë reklama më e mirë për anëtarësimin në BE – politikanët populistë, lindorë dhe perëndimorë, tani kanë hequr dorë nga çdo pretendim për t’u larguar nga blloku.

Në të vërtetë, shumë vëzhgues e vlerësojnë eksperimentin e Brexit-it me bindjen e kryeministres së re të djathtë ekstreme të Italisë, Giorgia Meloni, për të forcuar kredencialet e saj evropiane.

Krahasimi i Britanisë me Italinë është padyshim i padrejtë – gjëja e fundit që Italia dëshiron është të përfundojë si Britania.

“Brexit u bazua në një akt marrëzie të pamasë”, thotë një lider evropian (në kushte anonimiteti). “Ajo u shit nga politikanët që premtuan një lloj Singapori të madh, por u votuan nga njerëz që ishin të pakënaqur me globalizimin.”

Asnjë nga premtimet e Brexit nuk mund të përmbushej.

Qyteti i Londrës nuk mori përsipër financat botërore, investimet e huaja nuk u shtuan, marrëveshjet e mëdha të tregtisë së lirë nuk mund të lidheshin.

Ambiciet e Brexit u përplasën me realitetin: një pandemi, ngritja e proteksionizmit, tensionet me Kinën dhe lufta në Ukrainë.

Më në fund, tregjet financiare rimorën kontrollin. “Kjo është ajo që ndodh kur ju shkëputni vendin tuaj nga tregu juaj më i madh dhe më i rëndësishëm,” vuri në dukje deputeti liberal gjerman Alexander Lambsdorff.

Megjithatë, nuk ka asnjë dyshim nga ana e BE-së për këtë plagë të vetëshkaktuar.

Vuajtjet e Britanisë janë një tjetër sfidë për qëndrimin e perëndimit në skenën globale. Një proces përzgjedhjeje që dërgon kryeministra të pazgjedhur në Downing Street nuk reflekton mirë në fuqinë e sistemeve demokratike dy javë nga zgjedhjet afatmesme në SHBA, ku të drejtat e votës do të jenë përsëri një çështje e rëndësishme.

Rënia e pjesëmarrjes, partitë politike të dobësuara dhe humbja e besimit në institucionet politike janë bërë një tipar i përbashkët i demokracive perëndimore.

Britania mund të jetë larguar nga BE-ja, por tendenca populiste që solli Brexit nuk është larguar. Shumë qeveri evropiane po përballen me koalicione të lëkundshme, duke përfshirë partitë e ekstremit të djathtë, të cilat pretendojnë se janë bërë dominante.

Nëse Sunak bën zgjedhjet e duhura, tronditja e fuqishme e luftës në Ukrainë, e cila ka tronditur kaq shumë dinamika të brendshme evropiane, në fakt mund të shtyjë Londrën dhe BE-në të rifillojnë bisedimet dhe të punojnë së bashku,

Udhëtimi i Truss në Pragë për të marrë pjesë në samitin e 44 vendeve evropiane në fillim të këtij muaji, një nismë franceze, u pa si një hap pozitiv.

Sunak dhe Macron, të dy ish-bankirë në fillim të të dyzetave, mund të kenë pak kimi.

Ndërkohë, BE ka filluar një dialog me partinë Laburiste. Ndoshta zgjedhjet e përgjithshme vijnë më shpejt se sa ishte planifikuar.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Prapaskenat e luftës së ashpër për pushtet

“DW”: Kush e merr Downing Street-in pas Johnsonit?