MENU
klinika

Analiza

1 milardë në ditë, edhe sa do t’i durojë Putin kostot e luftës?

02.11.2022 - 11:05

Lufta në Ukrainë është në një nga momentet më të tensionuara që nga fillimi i saj më 24 shkurt. Kriza e brendshme e Rusisë për humbjen e territorit në Ukrainë, kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore, paralajmërimi i Josep Borrell se jemi në fazën “më të rrezikshme” të luftës… Ngjarjet dhe deklaratat e javëve të fundit tregojnë se konflikti është duke evoluar në një fazë më agresive.

Si do të përfundojë kjo luftë? Përgjigja mbetet e panjohur. Sipas një eksperti të konsultuar nga “Daily Mirror”, konflikti mund të përfundojë tragjikisht për Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Ekspertët thonë se lufta së shpejti do t’i kushtojë Putinit një miliard dollarë në ditë. Rusia është përpjekur të fshehë kostot e luftës, megjithëse disa analistë kanë sugjeruar se Moska mund të përballojë të paktën dy vjet të tjera konflikti në Ukrainë përpara se thjesht t’i mbarojnë burimet.

Një draft i shpenzimeve të planifikuara të Rusisë për vitin 2023 tregon se një e katërta e buxhetit të saj është caktuar për “përdorime të panjohura”, që mund të jetë një përpjekje për të fshehur kostot e luftës, sipas një raporti të Bloomberg.

Konkretisht, shuma për “përdorim të panjohur” është rreth 112 miliardë dollarë dhe Kremlini ka ndaluar së publikuari asnjë detaj ekonomik se ku i shpenzon paratë e tij. Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin , mund të ketë mjetet financiare për të bërë luftë edhe për dy vjet të tjera falë rritjes së çmimit të naftës në vitet 2000, shkruan 19fortyfive.

Kjo fitim i papritur i lejoi Putinit të forconte pozicionin e tij në vend dhe të rriste në mënyrë dramatike shpenzimet ushtarake.

Nga ana tjetër, Putini ka dështuar të investojë në infrastrukturën e brendshme dhe autostradat, urat, hekurudhat dhe aeroportet e Rusisë po shkatërrohen. Për më tepër, sipas një raporti të fundit të institutit amerikan të kërkimit Wilson Center, Putin e ka bërë “mbrojtjen kombëtare” zërin kryesor në buxhetin rus.

Përfitimet për arsimin, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën dhe përfitimet sociale janë shkurtuar. Disa raporte thonë se disa mijëra ushtarë të sapomobilizuar janë vendosur në vijën e frontit me pajisje të përshkruara si të vjetruara ose të papërdorshme, ndërsa vetë ushtarët kanë marrë pak ose aspak trajnim.

Por, kush do ta zëvendësonte Putinin në rast dështimi? Sipas burimit të “Daily Mail”, zëvendësuesi më i mundshëm është Yevgeny Prigozhin, një nga të besuarit e Presidentit aktual. Ai është 61 vjeç dhe është mbiquajtur “kuzhinieri i Putinit”, sepse kompania e tij e kateringut punon për të. Por, ai gjithashtu ka lidhje me spiunët GRU dhe ishte themeluesi i Grupit Wagner.