Tirana shndërrohet në kryeqytetin e muzikës xhaz me eventin më të madh të këtij zhanri në Shqipëri në datën 24 nëntor 2022. “Tirana Speaks Jazz” vjen me edicionin e dytë të saj dhe këtë herë në 12 lokacione të ndryshme brenda një nate.
Me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe Creative Industries dhe nën kujdesin e kryebashkiakut të natës, Rezart Cenaj, festa të shumta janë organizuar në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Sheshi Bukureshti përballë bar Hemingway dhe fusha Ali Demi do të shndërrohen mbrëmjen e 24 nëntorit, në skena për koncertet me performanca live nga artistë dhe banda të njohura si Andi Kongo, Jazz Quintet, Giliola and Band, Loré, Peter Pan Quartet, Besa Kaziu.
Eventit më të madh në Tiranë për muzikën xhaz i janë bashkuar baret më të mira të kryeqytetit shqiptar si Tribeca, Radio, Kino, Whiskey Bar, Rehat, Baza, Illyrian Saloon, Të Du Ktu, Noor, Juliette, që do të dhurojnë argëtim për pjesëmarrësit me muzikë live dhe me DJ më të mirë në qarkullim.
“Tirana Speaks Jazz” vjen në këtë edicion të dytë për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë atë që xhazi inkurajon, feston dhe shpërblen: risinë, origjinalitetin, personalitetin dhe ekspresivitetin kuptimplotë në muzikë.