MENU
klinika

Shumica dërrmuese nga Afganistani

617 kërkesa për azil në Shqipëri në 10 muaj

27.11.2022 - 23:09

“Qendra kombëtare pritëse e azilkërkuesve pret çdo ditë shtetas të huaj që kërkojnë strehim në Shqipëri. Në 10 muajt e parë të vitit 2022, 617 persona kanë kërkuar azil në Shqipëri, shumica e të cilëve shtetas afganë”, thotë gazetarja Brunilda Cami.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, 544 persona janë nga Afganistani dhe kanë marrë mbrojtje të përkohshme.

Kërkesat për azil në vendin tonë në vitet e fundit kanë ardhur duke u rritur.

Instituti i Statistikave në raportin e tij të fundit mbi situatën e azilkërkuesve në Shqipëri, bën me dije se në vitin 2021 rezultojnë 2.533 azilkërkues në Shqipëri. 13,5 % më shumë krahasuar me vitin 2020.

Azilkërkuesit me origjinë nga Afganistani zënë 98,6 % të azilkërkuesve gjithsej në 2021 dhe rezultojnë 2.498 persona, të cilët kanë marrë mbrojtjen e përkohshme, ndërsa 19 persona janë azilkërkues nga Siria.

Ekspertët e Institutit të Statistikave nxjerrin në pah se për vitin 2021 piku i aplikimeve për azil ka qenë në muajt Shtator-Nëntor, të cilët përbëjnë 76,4 % të azilkërkuesve gjithsej. Kjo periudhë përkon me krizën që shkaktoi largimi i amerikanëve nga Afganistani dhe ardhjen e talebanëve në pushtet.