MENU
klinika

“Beogradi kërkon destabilizim të Kosovës”

Albin Kurti flet për situatën në veri

06.11.2022 - 18:06

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se po rrezikohet nga individë e grupe të kriminalizuara.

Ai ka thënë se gjatë 20 muajve të fundit Qeveria e Kosovës ka luftuar krimin e korrupsionin, duke shkatërruar ndër të tjera gjashtë laboratorë të drogës në veri të Ibrit, e po ashtu duke ndaluar keqpërdorimin me anë të prodhimit të kriptovalutave.

“Kosova është shtet demokratik e serioz, ligjshmëria e kushtetutshmëria s’mund të kompromomentohen. S’ka individë e grup më të fuqishëm se shteti. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë përkatëse etnike, por në bazë të veprave të paligjshme”, tha Kurti.

Ai ka thënë se është vazhdimisht në kontakt me partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa u ka bërë serbëve në veri thirrje të mos braktisin institucionet.

Përfaqësuesit serbë në veri kanë vendosur të shtunën të tërhiqen nga institucionet e Kosovës. Sot kanë dorëzuar dorëheqjet kryetarët e katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, ndërsa po ashtu kanë dhënë dorëheqje edhe asamblistët nga radhët e Listës Serbe.

Po ashtu kanë dorëzuar dorëheqjet edhe policët serbë në veri. Ndërsa kanë njoftuar dorëheqje edhe gjyqtarët e prokurorët serbë në veri.

“Ftojë qytetarët serbë të vendit tonë të mos i braktisin institucionet e Kosovës, të mos japin dorëheqje, të mos i lëshojnë vendet e punës, pasi në këtë mënyrë dobësohet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata s’kanë presion nga ne, por thirrje dashamirëse. Presioni vjen nga Beogradi që e do destabilizimin e Kosovës”, tha Kurti, raporton Koha.net.

Ai ka thënë se ka gjasa që Serbia nuk dëshiron të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog dhe e ka zgjedhur këtë mënyrë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk kthehemi në institucione nëse Prishtina..."

Tensionet në veri të Kosovës, serbët organizojnë protesta